
Metrotë po dezinfektohen, ndaj të pastrehët kanë dalë në rrugët e qytetit të Nju Jorkut. Pushteti lokal ka nisur dezinfektimin e ambienteve të metrove nga ora 01 deri në 04 të mëngjesit për shkak të koronavirusit.
Puna 24 orë e metrove njujorkeze ishte një motiv krenarie për vendin, por në mes të kësaj pandemie, e përballë shifrave të larta të të infektuarve, u desh që orët e punës të reduktohen.
Sipas të dhënave, rreth 2 mijë persona të pastrehë, e kalojnë natën në ambientet e metrove ose brenda vagonëve. Atyre iu është kërkuar tashmë të largohen. Për t’i ndihmuar janë dislokuar 1 mijë efektivë policie dhe vullnetarë. Po ashtu janë vënë në dispozicion 30 autobusë për t’i çuar pranë strehëzave më të afërta.
Sipas kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, një pjesë e këtyre personave e pranuan ofertën e autoriteteve lokale, por shumë prej tyre pranuan vetëm të largohen nga metrotë.
Referuar departamentit të shërbimeve sociale shumë prej endacakëve, refuzuan të shkojnë në këto vende strehimi për shkak të frikës së infektimit me Covid-19, pasi deri më tani në New York të paktën 650 të pastrehë janë infektuar dhe rreth 50 prej tyre kanë humbur jetën.
Vendet e strehimit për endacakët, tashmë edhe për shkak të situatës, janë të tejmbushura e për pasojë, vatra potenciale infektimi. (A2 Televizion)