Në Vlorë rritet kujdesi për kafshët, qytetarët ndihmojnë edhe qentë apo macet endacake

Nga Edi Ruçi dhe Gazmend Janku
26 Tetor 2026, 10:54 | Aktualitet

Vitet e fundit në Vlorë ka ndryshuar mënyra e trajtimit të kafshëve. Safet Rakipaj, animalist, tregon se vlonjatët i duan dhe përkujdesen më tepër, jo vetëm për kafshët e shtëpisë por edhe për ato endacake. Rakipaj konfirmon faktin se numri i personave animalistë rritet nga viti në vit, kjo për shkak se shumë njerëz e kanë kuptuar vlerën e një kafshe shtëpiake.

Sipas Rakipajt një kafshë në shtëpi është miku më i mirë, sjellë më tepër lumturi dhe qetësi shpirtërore tek ata që kujdesen për të.

“Njerëzit janë ndërgjegjësuar më tepër dhe kanë kuptuar se dashuria ndaj kafshëve është një ndër virtytet më të mëdha që ka njerëzimi. Përfitimi është një përfitim emocional që jo çdokush e përjeton, por është e sigurt që të gjithë ata që kanë një kafshë në shtëpi apo që kujdesen për një kafshë në rrugë dhe të afërmit të tyre e ndjejnë këtë ndjesi dhe janë më të lumtur”, tregon ai për A2 CNN.

Animalisti Safet Rakipaj tregon se përkujdesja për kafshët ka kosto. Shumë prej qytetarëve të Vlorës shpenzojnë për to duke filluar nga ushqimet, tek vendet e qëndrimit, por edhe për argëtimin e tyre.

“Pjesa më e madhe shpenzojnë për kafshët shtëpiake, por shpenzojnë dhe për kafshët e rrugës. Ka dhe shumë vullnetarë që marrin produktet më të mira për kafshët e rrugës. Pjesa më e madhe janë të huaj, por edhe shqiptarët. Preferohen macet pasi janë më të thjeshta për të mbajtur”, tregon ai.

Jo vetëm qytetarët e Vlorës por edhe shumë të huaj që jetojnë në qytet mbajnë në shtëpi një kafshë. Shumë prej turistëve që vizitojnë Vlorën kujdesen për kafshët endacake duke i hedhur ushqim sa herë i hasin në rrugë apo duke i strehuar ato. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos