
Java e tetë e Kategorisë Superiore u mbyll me sfidën Dinamo-Egnatia. Kryeqytetasit surprizuan kampionët në fuqi duke i mundur me shifrat 2-1. Edhe pse të parët që kaluan në avantazh ishin rrogozhinasit me Kryeziun, blutë përmbysën gjithçka brenda pjesës së parë. Vila dhe pas tij Qefalija bënë për vete tre pikët.
Të gjitha ndeshjet e tjera të Superiores u zhvilluan të shtunën. Vllaznia triumfoi 2-0 ndaj Tiranës në stadiumin “Loro Boriçi”, duke marrë një fitore të rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit. Edon Murataj kaloi shkodranët në avantazh në minutën e 42-të, ndërsa Adnard Mehmeti dyfishoi shifrat në minutën e 68-të.
Teuta dhe AF Elbasani u ndanë në barazim pa gola, 0-0, në stadiumin “Niko Dovana”. Durrsakët ruajtën vendin e parë në renditje me 20 pikë, ndërsa Elbasani shkoi në kuotën e tetë pikëve.
Skënderbeu mposhti Partizanin 2-0, duke thelluar krizën e të kuqve, të cilët regjistruan humbjen e pestë radhazi në kampionat. Enur Totre zhbllokoi rezultatin në minutën e 56-të nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa Dejvid Janaqi vulosi fitoren në minutën e 88-të.
Laçi fitoi 1-0 ndaj Vorës, duke u rikthyer te tri pikët pas tri humbjeve radhazi. Golin vendimtar për kurbinasit e shënoi Arlind Kurti në minutën e 73-të.
Në renditje, pas rezultateve të fundjavës, Teuta kryeson me 20 pikë, e ndjekur nga Egnatia me 18 pikë dhe Dinamo City me 15 pikë. Tirana renditet e katërta me 11 pikë, ndërsa Laçi ka 10 dhe Skënderbeu nëntë pikë. Vllaznia, AF Elbasani dhe Vora kanë nga tetë pikë, kurse Partizani mbyll klasifikimin me vetëm katër pikë. (A2 Televizion)