Djegia e Kuranit në Stokholm revolton irakianët, "pushtohet" ambasada suedeze në Bagdad

Nga A2 CNN
29 Qershor 2023, 17:33 | Bota

Ambasada suedeze në Bagdad është vendosur në qendër të sulmeve nga dhjetëra irakianë të inatosur, vetëm një ditë pasi libri i shenjtë i myslimanëve, Kurani, u dogj në Stokholm.

Dhjetëra vende myslimane dënuan ashpër vendimin e Suedisë për lejimin e një burri me prejardhje nga Iraku që të djegë Kuranin jashtë xhamisë kryesore të Stokholmit, por në vendin e tij të origjinës reagimi ka qenë edhe më i ashpër.

Irakianët sulmuan ambasadën suedeze në Bagdad, me pamjet që tregojnë një turmë të zemëruar që hedhin në tokë një portë hekuri duke u futur më pas brenda kompleksit rezidencial ku qendra diplomatike ndodhet.

Një video e dytë tregon njerëz që ngjiteshin në majë të ndërtesës së mbuluar me tela me gjemba, duke kënduar dhe valëvitur flamuj.

Ata gjithashtu shpërndanë fletëpalosje me mesazhe në arabisht dhe anglisht ku thuhej: “Kushtetuta jonë është Kurani”.

"Po, po për Kuranin", ishte shprehja që po ashtu u shkrua me bojë të zezë në portën që çon në ambasadë.

Demonstruesit, mbështetës të liderit shiit, Moqtada Sadr, qëndruan brenda për rreth 15 minuta përpara se të largoheshin paqësisht ndërsa forcat e sigurisë u rikthyen në vend.

Djegia e Kuranit u realizua ditën e djeshme nën një prani të madhe policore dhe përpara një turme prej 200 vetash.

Salwan Momika, i cili u arratis në Suedi disa vjet më parë, vendosi proshutë në faqet e Kuranit përpara se të shkelte mbi të dhe ti vendoste flakën.

Policia i kishte dhënë 37-vjeçarit një leje për protestën në përputhje me mbrojtjen e fjalës së lirë pasi një gjykatë Apeli kishte refuzuar të ndalonte djegien e Kuranit.

Kjo formë proteste ndezi zemërim në të gjithë botën myslimane, duke përfshirë Turqinë, e cila me veton e saj ka bllokuar kërkesën e Suedisë për t'u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s.

Sakaq, Iraku e kritikoi djegien e Kuranit, duke e quajtur atë një sulm racist dhe të papërgjegjshëm, ndërsa Maroku tërhoqi ambasadorin e tij në Stokholm mbrëmjen e së mërkurës.

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara gjithashtu u shpreh, me zëdhënësin Vedant Patel që e quajti djegien e teksteve fetare si mungesë respekti.

"Ajo që mund të jetë e ligjshme sigurisht që nuk është domosdoshmërisht e përshtatshme", tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos