
Situata në lindje të Ukrainës mbetet tepër e tensionuar, teksa Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës njofton se po zhvillon një operacion special në qytetin strategjik të Pokrovskut, në rajonin e Donetskut.
Sipas deklaratës zyrtare, njësia speciale “Timur” e GUR-së po përballet me luftime të ashpra kundër forcave ruse, në një prej zonave më të rëndësishme logjistike të vijës së frontit.
“Pas një operacioni të suksesshëm zbarkimi, forcave tona speciale iu bashkuan njësi të tjera që çanë një korridor tokësor dhe konsoliduan pozicionet”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se gjatë natës janë rrëzuar 85 dronë ukrainas në hapësirat ajrore të disa rajoneve ruse.
Sipas agjencisë TASS, dronët u interceptuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore në rajonet Voronezh, Nizhny Novgorod, Belgorod, Kursk, Lipetsk, Volgograd, Bashkortostan dhe Saratov.
Të dyja palët raportojnë veprime intensive ushtarake dhe përplasje të ashpra, duke treguar se lufta në frontin e Donetskut po hyn në një fazë të re të përshkallëzimit. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   