Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se projektbuxheti i vitit 2026, i dërguar mbrëmë në Parlament, parashikon një rritje të qëndrueshme dhe të përvitshme të pensioneve, duke nisur që nga muaji janar.
Në një video të publikuar në Facebook, Rama tha se “ky do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve”, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm të politikës sociale dhe ekonomike të qeverisë.
“Të arrijmë vit për vit të rrisim pensionet sipas objektivave të shpallura për secilën kategori. Pensionistët tanë përveçse do të marrin këtë dhjetor bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari do të kenë një rritje të shtrirë muaj për muaj, përmbi indeksimin e përvitshëm”, tha Rama.
Sipas tij, nga janari 2026, pensionet do të rriten çdo muaj si më poshtë:
Pensioni urban me vite të plota pune: +1.800 lekë
Pensioni urban i pjesshëm: +800 lekë
Pensioni rural: +1.000 lekë
Pensioni familjar: +700 lekë
Pensioni i invaliditetit: +600 lekë
Kryeministri shtoi se e njëjta skemë do të vijojë me ritme të shtuara në vitet në vijim. “Të njëjtat shifra do të dyfishohen në 2027, trefishohen në 2028 dhe katërfishohen në 2029, për të arritur vlerën e premtuar në qershor kur shqiptarët na dhanë 83 mandate.”
Rama e përmbylli mesazhin e tij me theksin se qeveria “thotë atë që bën dhe bën atë që thotë”, duke e paraqitur këtë si një dëshmi të stabilitetit ekonomik të vendit dhe realizimit të zotimeve elektorale. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   