
Kriza energjetike dhe masat për ta përballur janë kryefjala e ditëve të fundit. Çmimet e reja në tregun energjetik kanë shkuar në nivele të pamenduara më parë, në 42 lekë për kilovat. Sipas vendimit të qeverisë, shtetasit në Shqipëri do të paguajnë me çmimin e 9.5 lekë për kilovat deri në 800 kilovat në muaj, më pas do të paguajnë diferencën me çmimin e tregut.
Sipas drejtorit të KESH, Ergys Verdho, formula vjen nga mesatarja e bursës në një vit kalendarik.
Ndërkohë, ai pranon se kaskada jonë prodhon deri në 70% të nevojave, ndërkohë që për 30% e mbetur na duhet të importojmë sasinë e nevojshme.
“Për momentin kemi një kuotë, 460 gigavat me një kuotë 268, një kuotë historike për një vit të thatë, dhe kjo është bërë e mundur falë importit, që ka zbutur uljen e kuotës në hidrocentralet tona.
Kriza ka filluar një vit me parë, e nënvizoj sepse disa thonë se Shqipëria nuk është e përfshirë nga kriza. Ka patur një tentativë e Rusisë për të anashkaluar Ukrainën për të ndërtuar Nord Stream 3, që nuk u miratua nga Gjermania, dhe nga aty filluan sanksionet. Jemi në kulmin e krizës, ku nuk merret as 16% e gazit të dikurshëm nga Rusia”, thotë drejtori i KESH në A2CNN.
Verdho deklaron se aktualisht vendi nuk ka të gjitha kapacitetet për t’u përballur me nevojën për energji, por situata pritet të ndryshojë.
“Nuk kemi kapacitetet që kemi pasur para 2009-s. Në atë periudhë ne kishim katër hidrocentrale si Ulza, Shkopeti, Bistrica 1 dhe 2. Pra ne jemi nga pikëpamja e sistemit elektro-energjetik, pa një dorë. Këto 4 hidrocentrale në kohën e komunizmit quheshin si lulëkuqet e sistemit. Bistrica kishte 365 ditë të njëjtën sasi uji, Ulza dhe Shkopeti balanconin sistemin e transmetimit. Ishte një tablo e plotë që do të na ekspozonte me 5% import, tani jemi me 30%, situatë që na detyron të marrim dy anije lundruese”, thotë Verdho, duke shtuar se pritet që anijet të jenë në Vlorë brenda javës së ardhshme, ndërkohë që prodhimi do të fillojë në nëntor.
Sipas drejtorit të KESH, termocentralet lundrese, janë një nga lajmet që e lejojnë të jetë gjithsesi optimist për të ardhmen.
“Në vitin 2023 hyn në punë parku voltaik i Voltalia, me 140 megavat, në 2024 fillon TEC i Vlorës me 100 megavatet e para, më pas përditësimi i tij me 250 të tjera, brenda vitit tjetër fillon tabloja e plotë e Drinit, me Skavicën. Brenda vitit 2030 do të kemi pavarësi energjetike dhe do të jemi eksportues neto”, shton ai. (A2 Televizion)