Çfarë po ndodh në Karaibe? SHBA zhvillon stërvitje ushtarake në ishullin pak milje larg Venezuelës

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2025, 19:25 | Bota

Çfarë po ndodh në Karaibe? SHBA zhvillon stërvitje

Shtetet e Bashkuara do të nisin të dielën një seri të re stërvitjesh ushtarake pesëditore në Trinidad dhe Tobago, njoftoi qeveria e vendit ishullor. Ky zhvillim vjen vetëm një muaj pasi SHBA dërgoi një shkatërrues me raketa drejtuese për ushtrime në territorin e ishullit, një veprim që Venezuela e cilësoi si “provokim ushtarak”.

Sipas Financial Times, Prokurori i Përgjithshëm i Trinidad dhe Tobago-s deklaroi të enjten se SHBA do të “intensifikojë” aktivitetet e saj stërvitore në dy ishujt, të cilët ndodhen vetëm pak milje larg bregdetit venezuelas, përcjell A2 CNN. Megjithatë, ministri i Jashtëm Sean Sobers mohoi se stërvitjet e javës së ardhshme përbëjnë një parapërgatitje për veprime të mundshme ushtarake pranë Venezuelës. Por kryeministrja Kamla Persad-Bissessar ka mbështetur praninë amerikane në rajon dhe është përplasur shpesh me presidentin socialist të Venezuelës, Nicolás Maduro.

Stërvitjet do të përfshijnë njësinë elitare të Korpusit të Marinës, 22nd Marine Expeditionary Unit, e vendosur prej javësh në Karaibe për misionin që Uashingtoni e cilëson si luftë kundër trafikut të drogës.

Qeveria e Trinidad dhe Tobago-s tha se këto ushtrime do të shërbejnë për të rritur ndërveprimin mes forcave vendase dhe atyre amerikane, duke përmirësuar njohjen e taktikave dhe teknikave të përbashkëta. Trupat amerikane pritet gjithashtu të trajnojnë forcat vendase për çështje të sigurisë së brendshme, përfshirë krimin e lidhur me drogën dhe dhunën e bandave.

Në javët e fundit, SHBA ka shtuar prezencën e saj detare në Karaibe, duke sjellë edhe aeroplanmbajtësen e saj më të madhe, USS Gerald R. Ford. Në kundërpërgjigje, Venezuela ka njoftuar një “mobilizim masiv” të trupave dhe pajisjeve ushtarake, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se “ditët e Maduros janë të numëruara” dhe nuk ka përjashtuar goditje tokësore në Venezuelë, megjithëse ka shprehur hezitim për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë. Nga ana tjetër, Maduro i ka bërë thirrje SHBA-së t’i qëndrojë larg konfliktit, duke përsëritur mesazhin e tij “Po paqes”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos