
Pas njoftimit shpresëdhënës se vaksina e testuar nga kompania amerikane “Moderna” kishte dhënë rezultat, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, Anthony Fauci, thotë se vendi do të ketë një vaksinë deri në fund të vitit.
“Jam optimist për afatin e parashikuar”, ishin fjalët e pjesëtarit të Task Forcës kundër koronavirusit në SHBA.
Fauci i cilësoi si tejet premtuese rezultatet e kompanisë “Moderna”, pjesë e së cilës janë shkencëtarë të Institutit Kombëtar të Alergjisë, i drejtuar nga Fauci. Sipas ekspertit të lartë, vaksina e testuar me sukses te 45 persona duket se ofron atë lloj mbrojtje që shihet në infeksionet natyrale. Megjithatë, ashtu si edhe shumë shkencëtarë të tjerë, edhe Fauci thekson se mbeten shumë pikëpyetje lidhur me kohëzgjatjen e reagimit imunitar të nxitur nga vaksina.
Shtetet e Bashkuara vendosën një tjetër rekord ditor në numrin e rasteve me koronavirus duke raportuar mbi 67 mijë infektime të reja në më pak se 24 orë.
Deri më tani, më shumë se 137 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19 në vend. Kalifornia raportoi ditën e dytë më të keqe sa i përket infektimeve dhe vdekjeve nga koronavirusit me mbi 11 mijë të infektuar dhe 140 jetë të humbura. E mërkura shënoi rritje të rasteve në shumë shtete të tjera të botës, duke i detyruar ato të rikonsiderojnë planet për rihapje. Numri i të infektuarve në rang global i tejkaloi 13,4 milionë, ndërsa viktimat janë mbi 579 mijë. (A2 Televizion)