
Ka krime që tronditin njerëzimin. Por ka një krim që shkon përtej vrasjeve, shkatërrimit dhe brutalitetit të luftës. Një krim që nuk synon thjesht të mposhtë një ushtri, të pushtojë një territor apo të nënshtrojë një popullsi. Synimi është shumë më i frikshëm: zhdukja e një grupi njerëzor, tërësisht ose pjesërisht, për shkak të identitetit të tij kombëtar, etnik, racor apo fetar.
Ky është gjenocidi. Një nga krimet më të rënda të njohura nga e drejta ndërkombëtare, një plagë që historia e shekullit të 20-të e la të hapur dhe që edhe sot vazhdon të sfidojë drejtësinë ndërkombëtare.
Nga kampet naziste të shfarosjes te fushat e vdekjes në Kamboxhia, nga masakrat në Ruandë te gjenocidi i Srebrenicës, historia ka dëshmuar se deri ku mund të shkojë shkatërrimi i organizuar i jetës njerëzore.
Por çfarë e përcakton një gjenocid? Si provohet ai përpara drejtësisë? Dhe a mund të ndalet një krim i tillë përpara se të jetë tepër vonë?
Për herë të parë, koncepti i gjenocidit u përkufizua dhe u kodifikua në të drejtën ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore. Përmasat e Holokaustit dhe krimet e kryera nga regjimi nazist e bënë të domosdoshme krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar që jo vetëm të dënonte autorët, por edhe të parandalonte përsëritjen e një tragjedie të tillë.
Më 9 dhjetor 1948, Kombet e Bashkuara miratuan Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit. Dokumenti përcaktoi se gjenocidi nuk është thjesht një masakër masive, por një krim që karakterizohet nga një qëllim specifik: shkatërrimi i një grupi kombëtar, etnik, racor apo fetar, tërësisht ose pjesërisht.
Sipas Konventës, ky krim mund të kryhet në disa forma: përmes vrasjes së anëtarëve të grupit, shkaktimit të dëmeve të rënda fizike ose psikologjike, krijimit të kushteve të jetesës që synojnë shkatërrimin e tij, pengimit të lindjeve apo transferimit me forcë të fëmijëve në një grup tjetër.
“Gjenocidi përkufizohet në Konventën e vitit 1948 dhe përfshin disa akte të përcaktuara, si vrasjet, shkaktimin e dëmeve të rënda apo krijimin e kushteve të jetesës që synojnë shkatërrimin e një grupi. Por elementi vendimtar është qëllimi për ta shkatërruar atë grup, tërësisht ose pjesërisht, për shkak të identitetit të tij kombëtar, etnik, racor apo fetar. Pikërisht ky qëllim e dallon gjenocidin nga krimet e tjera ndërkombëtare. Nuk është çështje e numrit të viktimave, por e synimit për të zhdukur ekzistencën e një grupi.”
Masakrat dhe kampet e shfarosjes gjatë Luftës së Dytë Botërore treguan se shkatërrimi i një popullsie mund të organizohej si një politikë shtetërore. Miliona njerëz u vranë, u persekutuan dhe u deportuan. Aushvici dhe kampet e tjera naziste u kthyen në simbole të një prej kapitujve më të errët të historisë njerëzore.
Proceset e Nurembergut, që nisën pas luftës, vendosën një precedent të rëndësishëm për përgjegjësinë penale individuale për krimet ndërkombëtare. Pak vite më vonë, Konventa për Gjenocidin i dha këtij krimi një përkufizim të veçantë juridik dhe vendosi detyrime për shtetet që ta parandalojnë dhe ndëshkojnë atë.
Megjithatë, njohja e gjenocidit nga gjykatat do të kërkonte dekada të tjera dhe do të përballej me vështirësi të jashtëzakonshme në sigurimin e provave.
Një nga rastet më të rëndësishme ishte ai i Ruandës. Në vitin 1994, brenda rreth 100 ditësh, afërsisht 800 mijë njerëz, kryesisht pjesëtarë të komunitetit tutsi, u vranë gjatë një fushate masive dhune të organizuar nga ekstremistë hutu.
Në vitin 1998, Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën shpalli fajtor për gjenocid ish-kryetarin e bashkisë, Jean-Paul Akayesu. Ishte hera e parë që një gjykatë ndërkombëtare interpretonte dhe zbatonte përkufizimin e gjenocidit të përcaktuar në Konventën e vitit 1948.
Një tjetër kapitull i rëndë u shkrua në Kamboxhia, nën regjimin e Khmerëve të Kuq. Gjatë viteve 1975–1979, vendi u shndërrua në një skenë të shkatërrimit masiv. Rreth 1.7 milionë njerëz humbën jetën nga ekzekutimet, uria, sëmundjet dhe puna e detyruar. Në vitin 2018, një gjykatë speciale, e mbështetur nga OKB-ja, dënoi dy ish-udhëheqës të regjimit për gjenocid ndaj komuniteteve çame dhe vietnameze.
Një nga rastet më të dokumentuara dhe më të njohura të gjenocidit në Evropë ndodhi në Bosnjë.
Në korrik të vitit 1995, gjatë luftës në Bosnjë, forcat serbe të Bosnjës pushtuan enklavën e Srebrenicës, e cila ishte shpallur zonë e sigurt nga Kombet e Bashkuara.
Në ditët që pasuan, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan. Familje të tëra u ndanë, mijëra njerëz u dëbuan me forcë dhe trupat e viktimave u varrosën në varreza masive. Në vitet që pasuan, zhvarrosjet dhe identifikimet zbuluan përmasat e krimit.
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e cilësoi masakrën e Srebrenicës si gjenocid dhe dënoi disa nga përgjegjësit kryesorë, përfshirë komandantin ushtarak Ratko Mladiç dhe udhëheqësin politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç.
Edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vendimin e saj të vitit 2007 për çështjen Bosnjë kundër Serbisë, konfirmoi se në Srebrenicë ishte kryer gjenocid. Megjithatë, ajo nuk e shpalli Serbinë drejtpërdrejt përgjegjëse për kryerjen e tij, por konstatoi se shteti kishte dështuar në përmbushjen e detyrimit për ta parandaluar gjenocidin dhe për të bashkëpunuar në ndëshkimin e autorëve.
Po pse është kaq e vështirë të provohet gjenocidi?
“Prova e gjenocidit është një nga detyrat më të vështira në të drejtën penale ndërkombëtare. Pragu juridik është jashtëzakonisht i lartë, pikërisht për shkak të rëndësisë së akuzës dhe pasojave që ajo sjell për shtetet dhe individët. Prokurorët duhet të provojnë jo vetëm se kanë ndodhur akte të caktuara, si vrasjet masive, dëbimet apo uria, por edhe se ato janë kryer me qëllimin specifik për të shkatërruar një grup, tërësisht ose pjesërisht.”
Por si provohet një qëllim i tillë, kur autorët nuk e pranojnë hapur synimin e tyre?
“Gjykatat mund të shqyrtojnë prova rrethanore, modele të përsëritura veprimesh, dokumente planifikimi, urdhra të udhëheqjes dhe deklarata publike të zyrtarëve. Në rastet e Ruandës dhe Srebrenicës, gjenocidi u provua përmes një kombinimi deklaratash të drejtpërdrejta dhe modelesh sistematike dhune, që synonin elementet thelbësore të mbijetesës së një grupi.”
Sot, përkufizimi i gjenocidit dhe mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare janë sërish në qendër të një debati të fortë global. Këtë herë, vëmendja është përqendruar te Gaza, ku lufta, shkatërrimi masiv, zhvendosja e popullsisë dhe kriza humanitare kanë ngritur akuza të rënda për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Një zhvillim i rëndësishëm ndodhi më 16 shtator 2025, kur Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit i OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze deklaroi se Izraeli kishte kryer gjenocid në Gaza. Komisioni argumentoi se kishte gjetur prova që mbështesnin këtë përfundim, duke përfshirë deklarata të zyrtarëve të lartë izraelitë dhe veprimet e ndërmarra gjatë fushatës ushtarake.
“Gjenocidi po ndodh në Gaza. Ne kemi identifikuar tre individë që i konsiderojmë përgjegjës: kryeministrin Benjamin Netanyahu, presidentin Isaac Herzog dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant. Duke qenë se ata kanë vepruar si përfaqësues të shtetit, ne kemi arritur në përfundimin se përgjegjësia i takon edhe shtetit të Izraelit.”
Ky ishte një përfundim i një organi hetimor të mandatuar nga OKB-ja, por jo një vendim gjyqësor përfundimtar. Rëndësia e tij qëndron te dokumentimi i provave dhe ndikimi që mund të ketë në proceset juridike ndërkombëtare.
“Ky raport ka një rëndësi të jashtëzakonshme juridike. Është hera e parë që një organ i mandatuar nga OKB-ja arrin në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid. Raporti mbështetet në prova të drejtpërdrejta, përfshirë deklaratat publike të zyrtarëve të lartë, si dhe në prova rrethanore që lidhen me vetë fushatën ushtarake. Edhe pse nuk është një vendim gjyqësor, ai ka peshë reale dhe mund të ndikojë në proceset në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në procedurat e ardhshme penale. Ai gjithashtu rikujton detyrimin e shteteve të tjera për të mos u bërë bashkëfajtore, për të mos kontribuar në krime të tilla dhe për të marrë masa për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit.”
Ndërkohë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po shqyrton çështjen e ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit, në të cilën pretendohet shkelja e Konventës për Gjenocidin. Gjykata ka vendosur masa të përkohshme, duke i kërkuar Izraelit të marrë masa për të parandaluar aktet e ndaluara nga Konventa dhe për të garantuar ndihmën humanitare, ndërsa procesi për shqyrtimin e themelit të çështjes vazhdon.
Për dekada me radhë, drejtësia ndërkombëtare është përballur me të njëjtën dilemë: si të ndëshkojë një krim që shpesh zbulohet plotësisht vetëm pasi shkatërrimi ka ndodhur?
“Gjenocidi është krimi më i rëndë në të drejtën ndërkombëtare dhe komuniteti juridik, me të drejtë, e zbaton përkufizimin e tij me shumë kujdes. Por përgjegjësia nuk duhet të jetë vetëm retrospektive. Ajo mund dhe duhet të përdoret për të mbrojtur jetë njerëzish edhe në të tashmen.”
Konventa e vitit 1948 i dha botës një përkufizim dhe një detyrim: të parandalojë dhe të ndëshkojë gjenocidin. Por historia ka treguar se mes njohjes së një krimi dhe ndalimit të tij ekziston shpesh një hendek i tmerrshëm.
(A2 Televizion)