
Fondet që BERZH ka vënë në dispozicion të turizmit dhe agrobujqësisë nuk arrijnë të përthithen tërësisht nga fermerët apo sipërmarrësit. Ekspertët e bujqësisë thonë se shumica e fermerëve shqiptarë janë të paformalizuar, duke i përjashtuar ata automatikisht.
Ilir Pilku tha për A2 CNN: “Vetëm 60% përthithen sepse formalizimi është kusht kryesor, shumica e fermerëve nuk e plotësojnë”.
Por, cilat janë arsyet që fermerët e vegjël nuk përfitojnë nga ky instrument financiar? Zef Gjeta thekson: “Fermerët kanë tokën, por nuk kanë dokumentet, pra nuk u mundësohet aplikimi. Pika tjetër është që nuk ka specialistë në hartimin e planeve të investimeve”.
Kritikat ndaj bankave të nivelit të dytë i ngrenë edhe ekspertët e bujqësisë për më pak burokraci dhe për më tepër punë në terren me struktura.
Ka dhe një tjetër hallkë të rëndësishme që mund t’u vijë në ndihmë fermerëve, por që sipas ekspertëve, nuk funksionon: “Shërbimi këshillimor sot nuk ekziston, do të luante një rol të rëndësishëm mes bankës dhe fermerit”.
Në Shqipëri ekzistojnë rreth 300 mijë ferma, por vetëm 83 mijë fermerë janë të regjistruar. Informaliteti i lartë konsiderohet një ndër problemet kryesore të bujqësisë, pasi i lë fermerët jashtë tregut dhe bën që ata të mos përfitojnë nga subvencionet ose skemat e tjera lehtësuese. (A2 Televizion)