Zbulohen detaje nga vrasja me thikë e 14-vjeçarit, debatuan në rrjetet sociale

Nga Artin Halili
14 Gusht 2025, 20:35 | Kronikë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 17:30 në fshatin Pirg në Maliq, ku një konflikt mes dy 14-vjeçarëve ka përfunduar tragjikisht. Sipas të dhënave paraprake, sherri ka ndodhur në ambientet e një lokali dhe dyshohet se është përdorur një thikë.

Si pasojë e plagëve të marra, adoleshenti E. Xh., 14 vjeç, ka ndërruar jetë në spital. Autori i dyshuar, gjithashtu 14 vjeç, është shoqëruar në spital për trajtim mjekësor dhe ndodhet nën mbikëqyrjen e policisë, shkruan A2 CNN.

Sipas policisë autori dhe viktima kanë pasur konflikt më herët mes tyre, por ende mbetet e paqartë arsyeja.

Ajo çka dihet është se të rinjtë kanë debatuar edhe në rrjetet sociale më parë. Sipas të dhënave ditën e sotme ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të lokalit në fshatin Pirg.

Dy adoleshentët janë takuar për t’u sqaruar, por kanë debatuar mes tyre dhe më pas janë konfrontuar fizikisht.

Viktima ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të marra me thikë. Sakaq mësohet se autori ka dëmtime, por jo me thikë dhe është duke u marrë në pyetje nga policia në ambientet e spitalit.

Sipas fotove të siguruara, shihet se autori i dyshuar i vrasjes së 14-vjeçarit pozon me një armë gjahu çifte, dhe mbi foton ka vendosur një mbishkrim duke u shprehur: "Unë do shfaqem kur nuk ta pret mendja."

Të njëjtat burime, jashtë kamerave, tregojnë se autori i dyshuar njihet si një adoleshent "i lëvizshëm", i cili herë pas here shkakton probleme me bashkëmoshatarët.

Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se nuk ka pasur një "planifikim" për t'u takuar, por të dy adoleshentët janë gjetur në të njëjtin lokal rastësisht.

Në një moment të caktuar, njëri prej tyre kërkon të sqarohet, ndërsa autori i dyshuar ka nxjerrë një mjet prerës nga xhepi dhe e ka goditur bashkëmoshatarin e tij.

Policia ende nuk ka gjetur thikën e krimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos