Fondet e investimeve janë kthyer sërish në trendin rritës pas tkurrjes së vitit të kaluar dhe janë tashmë një prej mjeteve më të rëndësishëm për investimin e parave. Në fund të muajit Mars, vlera neto e aseteve në këtë treg ka arritur në 554 milionë euro, duke u rritur me 3.68% krahasuar me fundin e 2018-ës.

Numri i anëtarëve të këtyre fondeve u rrit po ashtu në mbi 30,200 individë. Kjo formë investimi preferohet nga këta individë për shkak se sigurojnë norma më të larta fitimi krahasuar me alternativat e tjera si depozitat në banka.
Pjesa më e madhe e tregut dominohet nga obligacionet qeveritare dhe bonot e thesarit, thënë ndryshe borxhi që qeveria e merr në tregun e brendshëm. Përkatësisht, këto letra me vlerë zënë 64.25% dhe 16.86% të totalit të aseteve.

Investimi nga këto fonde shkon edhe për obligacione të korporatave dhe aksione, edhe pse në një vlerë relativisht më të vogël.
Për tremujorin e parë, tregu raportoi 3.4 milionë euro fitime nga investimet. (A2 Televizion)