
Shtetet e Bashkuara votojnë për zgjedhjet e mesmandatit, ku rinovohet përbërja e Kongresit amerikan. Në garë janë të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 vendet e Senatit.
Zgjedhjet e mesit të mandatit që do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit vijnë në një moment të vështirë për Partinë e tij Republikane.
Rezultati i zgjedhjeve nuk ndikon në vazhdimësinë e mandatit presidencial të Donald Trump, por do të tregojë nivelin e mbështetjes për të dhe mund të ndryshojë balancat politike në Kongres.
Sipas sondazheve të fundit, demokratët mund të sigurojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ku republikanët kanë aktualisht 220 vende, kundrejt 215 të demokratëve. Për të marrë kontrollin, demokratëve u nevojiten katër vende më shumë.
Në Senat, gara është më e vështirë. Republikanët kanë 53 vende, ndërsa koalicioni demokrat, përfshirë dy të pavarur, ka 47. Demokratëve u duhet të fitojnë të paktën katër vende për të marrë shumicën.
Presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje republikanëve të dalin masivisht në votime, duke paralajmëruar se në rast se demokratët fitojnë shumicën, ai do të bëhet “Mister Veto”.
“Nëse njerëzit tanë dalin të votojnë, fitojmë me rezultat të thellë”, deklaroi Trump në një lidhje telefonike për Fox Neës. Ai u kërkoi votuesve të sillen sikur emri i tij të ishte në fletën e votimit, duke argumentuar se politikat e miratuara nga administrata e tij, përfshirë lehtësitë fiskale, mund të rrezikohen nëse demokratët marrin kontrollin e Kongresit.
Votuesit thonë se janë më të shqetësuar për koston e jetesës. Çmimet e ushqimeve dhe karburantit janë rritur pjesërisht për shkak të tarifave agresive të presidentit dhe luftës jopopullore me Iranin, kështu që kjo do të jetë në krye të vëmendjes ndërsa shumë njerëz shkojnë në qendrat e votimit.
Trump, i cili është përballur me vlerësime rekord të ulëta të miratimit në muajt e fundit, ka bërë fushatë të fortë, duke qenë në krye të dhjetëra tubimeve në të gjithë vendin.
(A2 Televizion)