Nga përshëndetja e gorillës te “pagëzimi” i bretkosës, publikohen fotot më gazmore nga bota e kafshëve të egra

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2025, 12:34 | Fotolajme

Nga përshëndetja e gorillës te “pagëzimi” i

Një gorillë e re mashkull, e fotografuar duke kërcyer dhe duke përshëndetur, në Malet Virunga të Ruandës, është shpallur fituese e çmimit kryesor në edicionin e këtij viti të Nikon Comedy Wildlife Awards. Fotografia, e realizuar nga fotografi britanik Mark Meth-Cohn, ka rrëmbyer jo vetëm çmimin e madh, por edhe çmimin për kategorinë e gjitarëve.

Meth-Cohn kishte kaluar katër ditë duke ecur në terrenin e vështirë të Virungës në kërkim të gorillave, derisa përpjekja e tij u shpërblye me një moment të rrallë dhe plot humor. Në objektivin e tij u shfaq një gorillë e re, e cila dukej se po shijonte vëmendjen, duke bërë lëvizje akrobatike që ngjanin me vallëzim.

Sipas organizatorëve, ky ka qenë një vit rekord për konkursin vjetor të fotografisë së jetës së egër me nota humori. Më shumë se 10 mijë fotografi nga 109 vende të botës u paraqitën në garë, ndërsa fituesit u shpallën gjatë një ceremonie të mbajtur të martën mbrëma në Londër.

Pas një përzgjedhjeje fillestare, juria reduktoi numrin e fotove në 40 finaliste, nga të cilat u zgjodhën fituesi i përgjithshëm dhe fituesit e kategorive. Konkursi përfshinte shtatë kategori, mes tyre ato për zvarranikë, insekte dhe peshq, si edhe një kategori për fotografë të rinj. Ndërkohë, Çmimi i Publikut është i hapur për votim online deri më 1 mars.

Mes fituesve të tjerë spikati Grayson Bell, 13 vjeç nga Shtetet e Bashkuara, i cili fitoi Nikon Junior Photographer Award dhe çmimin për kategorinë e zvarranikëve, amfibëve dhe insekteve me foton “Baptism of an unwilling convert”, që paraqet dy bretkosa duke u përleshur në ujë.

Ndërsa Paula Rustemeier nga Gjermania u shpall fituese e Nikon Young Category (për fotografë nën 25 vjeç) me foton “Hit the dance floor”, ku shfaqen dhelpra lozonjare, njëra prej të cilave duket e rrëzuar me fytyrë.

“Fituesit e këtij viti përdorin gëzim, aftësi dhe imagjinatë për të kapur botën natyrore. Imazhi fitues i Markut përfaqëson në mënyrë perfekte shpirtin lozonjar të jetës së egër,” u shpreh Stefan Maier, drejtor i lartë i marketingut në Nikon Europe.

Fotografitë fituese dhe ato finaliste janë të ekspozuara në gallery@oxo në Londër deri më 14 dhjetor, duke ofruar për publikun një vështrim plot humor dhe ndjeshmëri mbi botën e egër. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos