Frika nga virusi, qytetarët: Urbanet, lokalet e marketet kanë risk të lartë

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2020, 15:20 | Sociale
Frika nga virusi, qytetarët: Urbanet, lokalet e marketet kanë risk

Transporti i shërbimit urban, marketet dhe lokalet shihen si ambientet me riskun më të lartë të infektimit me Covid-19. Vendimi i Komitetit të Ekspertëve për të mos lejuar grumbullimet masive me më shumë se 10 persona kanë rritur vigjilencën te qytetarët për frekuentimin e këtyre ambienteve.

Rrezet e ngrohta të nëntorit për qytetarët nuk mund të kalohen pa i shijuar me një kafe. Ndonëse është mesditë, shumica e lokaleve në kryeqytet kanë klientë në një numër të konsiderueshëm. Mbyllja e orarit të punës deri në orën 22:00 ka bërë që pronarët e lokaleve të shtojnë edhe disa tavolina më tepër në ambientet e tyre dhe kur shkelet distanca, veprimi duhet të vijë nga autoritetet shtetërore.

Por, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor nuk ka deklaruar nëse ka aksione shtesë në raport me rritjen e valës së infektimeve dhe zbatimin e masave kufizuese.  

E njëjta gjë ndodh edhe me urbanet. Dyndja e mëngjesit dhe pasdites nga qytetarët që shkojnë dhe kthehen nga puna vijon të jetë e lartë në urbane. Respektimi i masave kalon në plan të dytë. Por, në kufizimet e fundit të Komitetit nuk u pa i arsyeshëm pezullimi i transportit publik.

Gjithsesi, qytetarët thonë se shtimi i rasteve me koronavirus ka bërë që të kujdesen më shumë për distancë veçanërisht ndaj ambienteve me risk të lartë.

Kufizimi i orarit të lëvizjes rrit frikën e një mbyllje të dytë të vendit. Ekspertët e shëndetësisë nuk e nuk kanë nxjerrë një vendim konkret dhe se çdo gjë do të varet nga vala e përhapjes së virusit në vend.

Gjatë ditëve të fundit janë rritur edhe rastet e humbjeve të jetëve, çka është një alarm i ngritur për çdo skenar të mundshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos