
Kandidatja e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Korçës, Ledina Alolli ka prezantuar në “Debat” me Alba Alishanin platformën me të cilën synon që të rrëzojë nga “froni” socialistët që qeverisin prej më shumë se një dekade qytetin.
Ashtu si kandidatët e tjerë të koalicionit opozitar, zonja Alolli theksoi se qyteti i juglindjes ka nevojë dhe dëshirë për të sjellë ndryshimin.
Ajo tregoi se pasi u zyrtarizua si kandidate për bashkinë e Korçës ka vijuar çdo ditë me takimet derë më derë me qytetarët për të dëgjuar se çfarë i shqetëson qytetarët.
Për kundërshtarët e saj politikë, ajo u shpreh: "Vijnë dhe japin të njëjtat premtime. Premtime të pambajtura. Realiteti ndërkohë flet vet. Rritja e të papunëve, largimi i të rinjve..”
Duke u ndalur te të rinjtë, kandidatja për bashkinë në zgjedhjet e 14 majit theksoi se ata do të jenë motori i zhvillimit rajonal.
“Mendoj që të rinjtë duhet të integrohen akoma më tepër. Kemi Universitetin Fan Noli, do të bashkëpunojmë me të rinjtë e tij, dhe do t’i përfshijmë në programin që kemi për zhvillimin e Korçës.”
Si pika të tjera të programit të saj, Ledina Alolli përmendi bujqësinë e cila sipas saj ndodhet në ditën më të keqe të zhvillimit.
Si zgjidhje ajo përmendi përmirësimin e kushteve në tregje, mbështetjen e fermerëve, mirëmbajtjen e kanaleve kulluese e të tjera.
Prioritet në programin e të djathtëve për qytetin është edhe turizmi, për të cilin Alolli u shpreh se synimi është që të mos jetë vetëm i fundjavës por i të gjithë muajve të vitit.
Një tjetër pretim i kandidates për kryebashkiake ishte parkim me zero tarifa.
“Duke nisur nga turistët. Ka një trafik të rënduar qyteti. Mund të krijohet një parking nëntokësor.”
Premtime të tjera u listuan ulja e taksave deri në 30 për qind, ulje të tarifës së pastrimit, ndriçimit, gjelbërimit. Ndërsa, duke u ndalur te burimet e ngrohjes për qytetin e ftohtë të juglindjes, Ledina Alolli foli për një projekt termoizolimi që sipas saj do të ulë shpenzimet për qytetarët dhe do t’i kursejë ndotjen mjedisit.
Por cilat janë avantazhet e saj në këtë garë për drejtimin e qytetit?
Ledina Alolli solli në vëmendje se është hera e parë që në Korçë kandidon një grua, një nënë "që do të shkojë pranë njerëzve për ta bërë qytetin sa më pranë nevojave të tyre.”
Po ashtu, ajo theksoi se e gëzon mbështetjen e të gjithë demokratëve të Korçës. (A2 Televizion)