Grida Duma në A2, nuk mohon protestat: Vjedhja e votave ka ndodhur jashtë kutive. Ne kemi prova, do të ezaurojmë Gjykatën Kushtetuese

Nga A2 CNN
4 Maj 2021, 10:15 | Politikë
Grida Duma në A2, nuk mohon protestat: Vjedhja e votave ka ndodhur

Grida Duma, e cila është kandidatja e katërt më e votuar në listën e PD-së në Tiranë, ishte e ftuar në studion e "Ditarit" në A2 me Alba Alishanin, nga ku foli për rezultatin e opozitës dhe hapat e radhës që do të ndërmarrë PD-ja në vazhdim.

Duma u shpreh se PD-ja refuzoi të bëjë marrëveshje me krimin, pasi kjo do të kishte kosto për vendin. “Nëse një herë të vetme do të bënim këtë marrëveshje, në atë moment ne do t’i kishim dhënë krimit 50% të institucioneve të vendit”.

Më tej, Duma u shpreh se problemi i vjedhjes së votës është jashtë kutisë. Ajo theksoi se do të ndiqen të gjitha hallkat, pasi aktualisht është ngritur edhe Gjykata Kushtetuese.

“Problemi i vjedhjes së votës është jashtë kutisë së votimit. 70% kanë ndodhur jashtë kutisë së votimit, ndërsa 30% është kodi elektoral. Ne e dimë si ka shkruar procesi dhe nuk mund ta lëmë. Sot, procesi i ndëshkimit, hetimit, mbrojtjes së çdo vote do të vijojë. Ajo gjëja që ne kemi bërë, djegia e mandateve, erdhi si pasojë e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, por sot situata është ndryshe, kemi Gjykatën Kushtetuese. Ne kemi provat tona, drejtësia duhet të bëjë realitet këto prova. Ne duhet të besojmë te parimet tona. Derisa ekziston Gjykata Kushtetuese, ajo duhet ezauruar. Ne duhet t’i japim asaj të bëjë detyrën. Sesa do të veprojnë institucionet, topi është në portën e tyre.

Faktori ndërkombëtar, në momentin që bëhet i qartë se janë shkelur të gjitha marrëveshjet me BE-në, nuk do ta lërë me kaq. Ne kemi të drejtën t’i themi se garancia, mbështetja e tyre duhet të marrë një rrugëtim tjetër. Kur ne dogjëm mandatet, ndërkombëtarët qëndruan për stabilitetin. Tani, ndërkombëtarët janë të qartë se nuk ka stabilitet me krimin në pushtet. Ishte shumë e vështirë të provohej. Reforma në drejtësi ka qenë thembra e Akilit në të gjithë këtë histori. Kur nisi reforma, logjika ishte se duhet të ishte e shkëputur nga politika, por nuk ndodhi. Ne e donim reformën në drejtësi më shumë se pala tjetër”.

Por a do të rikthehet opozita në Parlament? Për këtë, Duma u shpreh se ende nuk është marrë një vendim, por theksoi se gjithçka është e mundur, madje edhe protestat. “Është një vendim që ende nuk është marrë. Ne provuam kush jemi me lënien e mandateve. Ne nuk u bëmë farsë e tyre. Nuk ka asnjë shans ta marrësh pushtetin me mjete të këqija dhe të bësh mirë. Nëse i ftojmë shqiptarët për protestë, dalin që sot. Protestat edhe munden. Më shkruajnë njerëz pa fund, nuk durohet më”, u shpreh Duma.

Në fund, Duma mohoi një kandidim të mundshëm për të marrë kreun e Partisë Demokratike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos