Haki Çako: Shkodra nuk mund të përmbytet sepse do zonja Ademi

Nga A2 CNN
26 Janar 2021, 22:23 | Aktualitet
Haki Çako: Shkodra nuk mund të përmbytet sepse do zonja Ademi

Përkundër deklaratës së kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, se situata pritet të përkeqësohet, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka deklaruar se Shkodra nuk ka pse të përmbytet sepse do zonja Ademi. I ftuar në “Absolut 4”, ai tha se sinoptikanët parashikojnë sasinë e reshjeve, por jo vendin dhe pasojat që do vijnë prej tyre.

“Nuk është e vërtetë që ne jemi në gjendje të parashikojmë përtej shkurtit. Nuk ka pse të përmbytet Shkodra, sepse do zonja Ademi. Edhe sinoptikanët parashikojnë sasinë e reshjeve, por jo vendin dhe pasojat që do vijnë prej tyre. Menaxhimi i situatës ka qenë korrekt”.

Çako theksoi se situata është nën monitorim dhe të gjitha strukturat janë në këmbë.

“Lumi Buna është një nga lumenjtë me prurjet më të mëdha dhe sot ka qenë e vazhdon të jetë në kapacitet maksimal, por nuk është prurje e kaskadave të Drinit, dhe në gjithë historikun e saj nuk i ka pasur këto vlera. Ne jemi nën monitorim të situatës dhe situata pritet të përmirësohet dhe të gjitha masat janë të parashikuara për t’u marrë. Të gjitha strukturat kanë qenë në këmbë”.

Çako hodhi poshtë deklaratat e kryebashkiakes Ademi në lidhje me dëmshpërblimin për dëmet. Sipas tij, qeveria i ka kompensuar të gjithë qytetarët për dëmet, por është përgjegjësi e bashkisë për të planifikuar buxhetin për zvogëlimin e riskut.

“Qeveria shqiptare nuk bën dëmshpërblime, por kompensime. Qytetarët janë kompensuar të gjithë për dëmet. Përgjegjësia kryesore është absolutisht e bashkive. Ata e kanë të përcaktuar qartë për të planifikuar buxhetin për zvogëlimin e riskut dhe administrimin e fatkeqësive natyrore. Është pikërisht bashkia ajo që merr vendimin me Këshillin Bashkiak. Rasti apo gjendja aktuale nuk i ngjan atyre të mëparshme”.

Lidhur me situatën e përmbytjeve në vend, Çako theksoi se reshjet kanë kapur shifra të jashtëzakonshme që mund të binin për 3-4 muaj së bashku. Duke qenë se Shqipëria është e ekspozuar ndaj përmbytjeve, ai tha se qeveria e ka trajtuar çështjen e masave si një nga problematikat kryesore.

“Kanë qenë ditë  të vështira me reshje të konsiderueshme. Intensiteti i tyre në të dyja periudhat ka kapur shifra të jashtëzakonshme dhe kohë më parë mund të binin 3 apo 4 muaj së bashku. Ky është një problem që është bërë objekt sa herë ndodh dhe pa dashur të akuzoj askënd, Shqipëria është vend i ekspozuar ndaj përmbytjeve. Vetë qeveria e ka trajtuar çështjen e masave si një nga problematikat kryesore. Nuk është një fenonem, ka shumë faktorë që janë marrë në konsideratë dhe qeveria e ka vënë fokusin te vlerësimi i riskut. Përmbytjet shkaktojnë dëme dhe direktivat janë pasqyruar në ligj ku ka një sërë projektesh për hartëzime të lumenjve. Po punohet intensivisht dhe për të marrë masa që në momentin e parë, pasi vlerësimi i riskut dhe identifikimi i rreziqeve është i rëndësishëm dhe ndaj po punohet. Përmbytjet janë fatkeqësitë që sjellin më shumë dëme ekonomike”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos