
Java e 27 e Bundeligës gjermane nisi me ndeshjen derbi, atë mes Union dhe Hertha Berlin. Nga Olimpiastadion, si rrallëherë i boshatisur, triumfues doli Hertha, e cila mposhti rivalët e qytetit në shifrat e thella 4-0.
Skuadrat e mbyllën pjesën e parë me rrjeta të paprekura, ndërsa në të dytën bardheblutë shpërthyen duke realizuar dy herë në harkun kohor të një minute, nëpërmjet dy sulmuesve Ibisevic dhe Lukebakio.
E pafuqishme për të reaguar, Union Berlin pëson edhe golin e tretë në minutën e 61 nga Cunha, duke shuar përfundimisht çdo shpresë. Bardheblutë e Hertha vulosën fitoren spektakolare me anë të Bojata, duke marrë kështu fitoren e dytë me radhë që prej rikthimit të kampionatit.
Këto 6 pikë e kanë shkëputur menjëherë Hertën e Berlinit nga zona e rënies, që ka tashmë siguri në vendin e 10. (A2 Televizion)