Hetimi për Bylis-Tirana, presidentët e dy klubeve, dëshmi në komisionin e etikës

Nga A2 CNN
8 Korrik 2020, 17:26 | Futboll
Hetimi për Bylis-Tirana, presidentët e dy klubeve, dëshmi në

Hetimi për ndeshjen Bylis-Tirana ka nisur zyrtarisht. Mesditën e kësaj të enjte, një pjesë e rëndësishme e vlerësimit të integritetit të takimit të luajtur më 2 korrik, do të bëhet pas dëshmisë së presidentëve të dy klubeve.

Numri një i Tiranës, Refik Halili dhe ai i Bylisit, Besnik Kapllanaj do të paraqiten përpara Komisionit të Etikës, për të dhënë versionin e tyre të ngjarjes.

Ndeshja e parë në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, e cila u fitua 2-1 me përmbysje nga mallakastriotët në pjesën e dytë, u shoqërua me dyshime shumë të forta për trukime. Gjithçka lindi prej lëvizjes së pazakontë të koeficientëve në kompanitë ndërkombëtare të basteve.

Shifra të konsiderueshme u luajtën për golin e avantazhit të Tiranës, ndërsa edhe pse bardheblutë ishin favoritë shumë orë përpara ndeshjes, në pjesën e dytë koeficientët që favorizonin Bylisin ranë në mënyrë të dukshme.

Këto ishin tregues se në baste po luhej përmbysja e rezultatit nga vendasit. Gjithashtu sjellja e lojtarëve në fushë la vend për dyshime, me Federatën që sinjalizoi UEFA-n dhe nisi menjëherë hetimin.

Komisioni i Etikës ka nisur përpilimin e dosjes për këtë ndeshje, ndërsa ka kërkuar edhe asistencë nga kompania e monitorimit të basteve “SportRadar”, për të dalë në përfundimin nëse ndeshja Bylis-Tirana ka qenë e trukuar, me qëllimin përfitimin e paligjshëm nga bastet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos