Pa makina dhe pa sinjal telefoni, ky vend është aq larg nga qytetërimi sa mund të konsiderohet si “fundi i botës”. Në fakt, qyteza e Ittoqqortoormiit në lindje të Groenlandës është e pozicionuar buzë detit të ngrirë të veriut dhe është e vetmja pjesë e banuar e Parkut Kombëtar të ishullit.
Në qendër ndodhet një shtëpi ngjyrë portokalli, të cilën banorët vendas e kanë shndërruar në një hotel për të shtuar vizitorët dhe turistët në vendin me më pak rezidentë në botë. Në Groenlandë jetojnë vetëm 57 000 njerëz, ¾ e tyre në kryeqytetin Nuuk, çka do të thotë që për një rreze prej 1000 kilometrash nuk ka këmbë njeriu rreth Ittoqqortoormiit.
Ky mund të quhet pa frikë hoteli më i largët në botë, një “trofe” të cilin ia ka rrëmbyer me lehtësi vendeve të tjera të largëta në planet, në Australi, Kili apo Mongoli.
Vendasit aty jetojnë mes dy botëve, kanë energji elektrike dhe internet, porosisin “online” dhe mallrat vijnë me avion nga Islanda. Por gjithashtu ushqehen duke gjuajtur në tundër ose në det, ndërsa lëkurën e ariut polar e përdorin për pallto dhe atë të fokës për doreza.
Për të mbërritur aty duhet të ndërrosh dy ose tre avionë dhe në fund të bësh një xhiro 15-minutëshe me helikopter. Dhomat në hotel kushtojnë minimumi 90 dollarë / nata, dhe nuk ka shumë. Në qytezë nuk ka restorante, por ka një supermarket ku mund të blesh gjithçka të nevojitet. (A2 Televizion)