
Franca po përgatitet për protesta të mëdha të paralajmëruara më 31 tetor, ndërsa rreth 70 mijë efektivë policie pritet të angazhohen në të gjithë vendin për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Lajmi u bë i ditur të enjten nga ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, i cili paralajmëroi masa të rrepta ndaj çdo akti dhune, si gjatë zhvillimit të demonstratave, ashtu edhe pas përfundimit të tyre.
Sipas ministrit, thirrjet e bëra në rrjetet sociale nga grupe të ekstremit të majtë për organizimin e tubimeve të dhunshme kanë shtuar shqetësimet e autoriteteve për një përshkallëzim të mundshëm të situatës.
Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, autoritetet franceze kanë vendosur të forcojnë masat e sigurisë në qytetet e vendit, me synimin për të parandaluar përplasjet dhe për të ruajtur rendin publik.
Angazhimi i rreth 70 mijë efektivëve synon të sigurojë mbarëvajtjen e protestave dhe të shmangë incidentet e mundshme gjatë dhe pas demonstratave të 31 tetorit. (A2 Televizion)