
Ish-kreu i Partisë Demokratike në Kukës, Ibsen Elezi, ka qenë nga më aktivët në kritikat ndaj lidershipit të PD-së, pas rezultateve të 25 prillit.
Në A2, Elezi tregon momentin kur mori vendimin për të protestuar përballë selisë. “E mora kur dëgjova Bashën në deklaratën pas shpalljes së rezultateve, sepse më ka ardhur turp. Nuk e kuptoj si mund të thuhet që kemi pasur sukses kur kemi humbur, nuk e kuptoj. Kam thënë që do të dal që të shpreh një protestë, përndryshe publiku do të shihte një parti të vdekur. Nuk mund të kritikosh nga kafenetë”, thotë ai.
Sipas tij, rritja e partisë opozitare në këto zgjedhje nuk ka si burim strategjinë. “Kryesisht arsyeja ka qenë mllefi ndaj Edi Ramës, në rikuperimin e PD-së, jo programet e lidershipit".
Burimi i problemeve të brendshme të PD-së për të vjen nga mungesa e transparencës dhe mosrespektimi i statutit të partisë. “Në të gjithë procesin, Partia Demokratike nuk ka respektuar statutin. Në kohën e Berishës, nga ana formale statuti u respektonte”.
Kritika ka edhe për Komisionin përzgjedhës të kandidatëve. “Ia kam thënë edhe vetë Bujar Nishanit, ju kishit një detyrë për transparencë, nuk mund të hiqen dhe vendosen sipas kritereve tuaja. Ishte thënë që secili person që përmbushte kriteret, ishte në garë”, thotë ai.
Sipas Elezit, lidershipi i PD-së “nuk di se çfarë do të bëjë. Po pati një strategji, tërhiqem nesër. Politika ka planifikim të realizimit të strategjisë, ndërkohë që Basha do të shpërqendrojë vëmendjen e demokratëve, duke futur probleme të tjera. Duhet të bëhen zgjedhjet e reja brenda partisë, Basha ka humbur dy herë, ka kaq vjet që vetëm mashtron”.
Elezi ka mesazh edhe për Sali Berishën, “ai duhet të deklarohet prerë, për të hapur një proces zgjedhor, që të identifikohen personat që mund ta drejtojnë partinë”. (A2 Televizion)