
Vetëm pak orë përpara startit të Kupës së Botës, vijojnë polemikat rreth Katar 2022. Së fundmi, është publikuar një video që ka shqetësuar seriozisht tifozët. Ky është Botërori më i shtrenjtë në histori, ku janë shpenzuar mbi 220 miliardë dollarë, për stadiumet, infrastrukturën dhe rrugët.
Shifra është 20 herë më e lartë se eventi i vitit 2018 në Rusi, ku u shpenzuan 11,6 miliardë dollarë. Vetëm për ndërtimin e tetë stadiumeve, kosto e shpenzimeve përllogaritet nga 6,5 miliardë deri në 10 miliardë dollarë. Përshtypja ishte se impiantet e kaluan provimin. Megjithatë, jo gjithçka që shkëlqen është flori.
Në rrjetet sociale, bëri xhiron e botës një video ku duket një gropë gjigante në stadiumin “Lusail I konik” të Dohas. Tifozët janë të tronditur, pasi duket e pamundur që pas milionave të shpenzuara, organizatorët të kenë bërë një gabim të tillë.
Gropa është e përmasave të konsiderueshme dhe dikush rrezikon seriozisht të lëndohet. Ajo është krijuar nga rënia e pllakave të betonit, teksa personeli përgjegjës nuk ka vendosur asnjë shenjë apo tabelë rreziku.
Ndërtimi i këtij stadiumi kushtoi 767 milionë dollarë. Ai është impianti më i madh në Katar, me kapacitet 80 mijë vende dhe është ndërtuar 23 kilometra larg Dohas. Në “Lusail I konik” do të luhen dhjetë ndeshje, duke përfshirë edhe finalen e 18 dhjetorit, ku do të përcaktohet kampioni i ri i botës. (A2 Televizion)