Kina përuron hidrocentralin e dytë më të fuqishëm në botë

Nga A2 CNN
28 Qershor 2021, 18:36 | Bota

Kina hapi në mënyrë të pjesshme atë që cilësohet si hidrocentrali i dytë në botë për kapacitet. Bëhet fjalë për hidrocentralin Baihetan,  i ndërtuar mbi lumin Jinsha për të tentuar objektivin madhor të autonomisë energjetike.

Një mision pothuajse i pamundur, në një vend me një popullsi që po shkon tek 1.4 miliard banorë. Por qeveria komuniste në Pekin është optimiste që vënia në funksion i hidrocentraleve do të kufizojë të paktën përdorimin e qymyrit, një nga shkaqet kryesore të ndotjes mjedisore në vendin aziatik.

Sipas përllogaritjeve, vënia në funksion i këtij hidrocentrali do të kursejë përdorimin e rreth 20 milionë tonelata qymyr,  ndërkohë që kapaciteti i hidrocentralit do të jetë 16 milionë kilovatë, i ndarë në 16 gjeneratorë. Dy prej këtyre u përuruan pikërisht këtë javë, në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste kineze.

Edhe hidrocentrali më i madh në botë ndodhet në Kinë, jo larg nga Baihetani.  Bëhet fjalë për hidrocentralin e Tre Grykave, në lumin Yangtze, me kapacitet 22 milionë kilovatë.

Për ndërtimin e këtij të fundit, gjithsesi, rreth 1.3 milion persona u detyruan të shpërnguleshin dhe disa qyteza u përmbytën, si dhe shumë site arkeologjike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos