Pasi Kuvendi i Kosovës dështoi sot të votonte për kryetare të kuvendit Donika Gërvallën, kjo e fundit ka reaguar së fundmi në rrjetet sociale me fjalë poetësh. Në një postim në Facebook, kryediplomatja e Kosovës në detyrë shkruan:
“E thënë me fjalët e poetit:
Rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njeriun.
Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!”
Ministrja e Punë të Jashtme dhe Diasporës në detyrë Donika Gërvalla sot ishte pjesë e votimit për kryetare të re të Kuvendit.
Ajo ishte e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me të cilën është partia Guxo, kryesuese e së cilës është edhe vetë Gërvalla.
Kjo e fundit u propozua për kryetare e të re të Kuvendit pasi Albulena Haxhiu dështoi të merr votat e nevojshme, për herë të shtatë me votim të hapur, e para kjo pas vendimit të Kushtetueses ku kërkohet që votimi të jetë i hapur dhe që partia e parë të nominojë një kandidat të njëjtë vetëm tri herë.
Gërvalla përjetoi fatin e Haxhiut duke mos marrë më shumë se 57 vota ose katër më pak se 61 sa janë të nevojshme.
Kujtojmë, deputetja e VV-së Shqipe Mehmeti Selimi nuk ka marrë pjesë në votimin për Gërvallën, por ajo sqaroi më herët se mospjesëmarrja e saj nuk ka të bëjë me motive partiake. (A2 Televizion)