Koronavirusi godet mrekullinë e brigjeve aziatike

Nga A2 CNN
11 Prill 2020, 13:36 | Bota
Koronavirusi godet mrekullinë e brigjeve aziatike

Bregdeti joshës Aziatiko-Paqësor, një nga destinacionet më tërheqëse për vizitorët gjatë fundjavës së Pashkëve, ishte jashtëzakonisht i qetë këtë vit pas masave të qeverisë për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Ndalimi i grumbullimit të më shumë se dy personave bënë që plazhi i Bondit në Sidnej të anulojë pushimet zyrtare të Pashkëve, ndërsa në plazhin e Manlit njerëzit janë të lirë të bëjnë ushtrime fizike të vetëm, por jo not, dhe kjo, në një plazh të mbyllur dhe të pamonitoruar nga policia.  

Australianëve u është thënë që të qëndrojnë në shtëpi, në të kundërt do të përballen me pasoja të rënda në kuadër të masave kundër koronavirusit, edhe pse në kontinentin e largët po përhapet me ritme të ulëta. Në Australi numurohen mbi 6 100 të prekur nga koronavirusi, nga të cilët 53 persona kanë humbur jetën.  

Bashkëpronari i dyanit të ushqimeve të detit “Bondi Sërf”, Xhorxhi Dimitrios, u shpreh se viti 2020 ishte viti më i keq në biznesin e familjes së tij dhe shitjet e mëngjesit të së premtes ishin katastrofale: "Tradicionalisht, e Premtja e Mirë është një nga ditët tona më të ngarkuara të vitit për shkak të rëndësisë fetare që qëndron pas saj dhe të qenit dita e peshkut. Por, për fat të keq, ky vit nuk do të jetë i njëjtë si në të kaluarën. Kanë qenë disa muaj të vështirë për ne tani, ndaj po punojmë javë pas jave dhe ditë pas dite për të rekuperuar. Bondi ka hasur vështirësi që prej fillimit të vitit. Fatkeqësisht, 2020 nuk ka qenë një vit i mirë. Nuk është për fajin tonë, në fillim ishin zjarret, më pas shirat dhe tashmë ky virus. Plazhi i Bondit po përpiqet të përballojë të gjitha këto dhe vëmendja e mediave nuk ka munguar. Problemi është se biznesin tonë po e inkurajojnë të qëndrojë hapur, ndërsa njerëzve u bëhet thirrje të qëndrojnë larg plazhit të Bondit”.  

Bondi u shfaq në titujt kryesorë të mediave në muajn mars teksa mijëra njerëz u shfaqën duke injoruar rregullat e distancimit social në plazhin e tij me famë botërore. Autoritetet prej asaj kohe nisën paralajmërimet. Vetëm disa javë më parë, vizitorët ishin ankuar se plazhi ikonë i Balit dhe zona e Sërfit në Kuta ishte tejet e populluar. Tashmë, ajo është e shkretë, me aksesin e ndaluar si pjesë e masave parandaluese të pandemisë, e cila ka vrarë më shumë se 100 000 njerëz në mbarë botën dhe ka infektuar më shumë se 1,7 milionë.

Indonezia është vendi me numrin më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi në Azi pas Kinës, vendit të origjinës së virusit. COVID-19 i ka marrë jetën 306 personave në Indonezi nga 3 512 raste, por duke parë që testimet janë më të kufizuara sesa në vendet fqinje, do të thotë se shifrat besohet se janë më të larta. 

“Kemi rënë goxha. Biznesi është ulur me pothuajse 95 përqind përreth zonës. Kështu që për shpenzimet e mia ditore, unë duhet të marr para hua, vetëm për të blerë ushqime”, shprehet pronari i një dyqani suveniresh. 

Por, jo të gjithë pajtohen me kufizimet në plazhe. Një prej tyre është edhe australiani Daniel Bejkër, i cili thotë se distancimi shoqëror deri në dy metra është masë e mjaftueshme për të parandaluar përhapjen e virusit: "Plazhet duhet të lejohen të qëndrojnë hapur për sa kohë që po ndiqet ligji i distancimit shoqëror. Kur shkova për të bërë sërf javën e kaluar në Kuta, në det të hapur, sërfisti më i afërt ishte 200 metra larg, kështu që pse nuk mund ta bëj këtë kur distanca nga dikush tjetër është më shumë se dy metra larg? Duhet të jem i lirë të bëj sërf apo të notoj. Është e rëndësishme për shëndetin mendor dhe si formë stërvitjeje për të luftuar COVID-19”. 

Plazhi i Kuta nuk është kurrë i qetë, asnjëherë i mbyllur pa marrë parasysh se çfarë ndodh, por tani hyrja është e kufizuar. Të gjitha rrugët janë të mbyllura, lëvizja është e kufizuar. Pandemia ka ndikuar në orët e shërbimit për të gjitha dyqanet rreth plazhit të Kuta-s, përfshirë këtu edhe KFC. 

Në Phuket të Tajlandës, koronavirusi ka rrëzuar kryesisht industrinë turistike, atë me të cilën ishulli mbijeton. Phuketi tanimë po përballet me një bllokim të pjesshëm për të frenuar përhapjen e virusit, që ka vrarë 33 njerëz dhe ka infektuar të paktën 2 473 të tjerë. 

Rruga tradicionalisht e tejmbushur me njerëz, Ëalking Street në Qytetin e Vjetër Phuket, sot është thuajse e zbrazët me dyqanet e mbyllura që plotësojnë panoramën e një ishulli të shkretuar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos