Kritika për “gazin amerikan”, Kurti: Nuk i refuzuam paratë, marrëdhënie të mira me SHBA

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2021, 16:56 | Kosova
Kritika për “gazin amerikan”, Kurti: Nuk i refuzuam

Ishte një seancë me 36 pika në rendin e ditës ajo e mbajtur në Kuvendin e Kosovës. Më e rëndësishmja ishte ajo e debatit për refuzimin e projektit të gazsjellësit të financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Opozita ngriti shqetësimet e saj lidhur me këtë vendim të qeverisë. Ramush Haradinaj, kryetar i AAK, u shpreh: “I vetmi opsion aktual për të krijuar edhe një burim alternativ për të diversifikuar energjinë në Kosovë është ky projekt, nuk kemi tjetër”.

Ferat Shala, deputet i PDK-së, theksoi: “Projekti i gazsjellësit është projekt bazik për infrastrukturën energjetike. Për ta refuzuar shtrirjen e infrastrukturës bazike energjetike është t’i thuash jo këtij zhvillimi, është t’i thuash jo bashkëpunimit strategjik me ShBA-të. Është t’i thuash po gazsjellësit rus në Ballkan. Këtu mendoj se keni qasje të gabuar në politikë”.

Përgjigjja e shefit të qeverisë, Albin Kurti, ishte kjo: “Nuk na ka humbur asnjë fond dhe s’ka dëmtim të raporteve me SHBA-në. Frika dhe paniku i tillë janë të pavend, s’ka nevojë askush t’i ketë dhe t’i shprehë publikisht, t’i përcjellë te të tjerët. Unë së paku një herë në javë e takoj ambasadorin amerikan. Sot kam takim po ashtu, nëse viti i ka 52 javë, unë e takoj 52 herë në vit”.

Nuk munguan as thumbimet për humbjen në zgjedhjet lokale. Memli Krasniqi, kryetar i PDK, tha: “Kuptojeni këtë ftesë drejtë, për t’u këndellur e për të mos u hutuar nga pushteti apo humbja e tij, sepse qytetari i Kosovës në këto zgjedhje ka folur qartë dhe ka dhënë mesazh që ky ritëm i juaji është i pamjaftueshëm”.

Në seancë pati dhe momente pikante. Mimoza Kusari-Lila, deputete e VV, tha: “Ramush, aspak unë s’ia futa, por ia ke fut ti kur ke nënshkruar këtë kërkesë për debat sot. Këtë kërkesë t’i ke shkru që Kosova rrezikon nga kriza energjetike”.

“Këtë fjalën me ia fut, unë s’e përdora. A e kam përdorur fjalën ia ka fut a, s’po më kujtohet”, u përgjigj Haradinaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos