Kriza nga koronavirusi, futbolli kërkon kompensim nga shteti

Nga A2 CNN
30 Mars 2020, 15:35 | Futboll
Kriza nga koronavirusi, futbolli kërkon kompensim nga shteti

Prej datës 9 mars pa futboll. Kriza e koronavirusit detyroi mes të tjerave edhe mbylljen e aktiviteteve sportive, me kampionatin që ende nuk dihet kur do të rinisë. Apo nëse do të rinisë për të mbyllur këtë edicion.

Në situatën e krijuar, klubi i Laçit i pari kërkoi ndihmë nga shteti, për të mundësuar kompensimin e pagave të sportistëve dhe stafit teknik. Zërit të kurbinasve i është bashkuar zyrtarisht edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila i ka dërguar një letër Këshillit të Ministrave duke kërkuar “garantimin e anës financiare për të gjithë komunitetin e futbollit në vend, përmes një pakete kompensimi”.

Argumenti është se prej ndërprerjes së gjitha aktiviteteve dhe Shpalljen e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore “puna e federatës dhe të gjitha hallkave të saj ka ndaluar tërësisht në të gjithë vendin”.

“Kjo situatë, ka paralizuar punën e klubeve, shkollave dhe akademive të futbollit duke i çuar ato drejt falimentit, duke lënë pa asnjë të ardhur mijëra të punësuar duke nisur nga futbollistët, trajnerët dhe deri të stafet teknike. Klubet janë në pamundësi për të bërë pagesa, për shkak të ndërprerjes të të gjitha të ardhurave nga biletat, transmetimet televizive si dhe për shkak të tërheqjes së sponsorëve”, shkruhej në njoftimin e federatës.

Aty kërkohej që “të gjithë punonjësit e përfshirë në sektorin e futbollit në vend, të përfshihen patjetër në paketën e kompensimit, si një e drejtë themelore për të garantuar mbijetesën e familjeve të tyre në këtë kohë të vështirë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos