Kurti: S’mund të ketë Ballkan të Hapur me një Serbi të mbyllur ndaj Kosovës

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2021, 13:32 | Kosova
Kurti: S’mund të ketë Ballkan të Hapur me një Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se nisma Ballkani i Hapur ka vënë përballë Shqipërinë dhe Kosovën, por tha edhe se pavarësisht kësaj, marrëdhëniet mes dy vendeve janë ndër më të mirat nga koha e pas luftës.

I pyetur nëse mund të ndryshojë ndonjëherë mendje për nismën, në të cilën deri tani bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, Kurti tha: “Ballkani nuk është vetëm tri shtete, Ballkani nuk është as gjashtë shtete sa është hapësira e Ballkanit Perëndimor ende të paintegruar në BE. Ballkani është së paku 12 shtete. Testi i së vërtetës është hapja e Serbisë ndaj Kosovës. Ata nuk i pranojë as dokumentet tona të udhëtimit, kartat e identitetit, nuk i pranojnë as vulat, certifikatat dhe diplomat tona, prandaj me një Serbi të mbyllur për Kosovën, nuk e di se si mund te kemi Ballkan të Hapur”.

https://a2news.com/2021/12/22/ballkani-i-hapur-bashkurti-nisme-e-paqendrueshme-pa-mbeshtetje-rajonale-serbia-e-pasinqerte/
https://a2news.com/video/shano-ballkani-i-hapur-tenton-te-zevendesoje-italine-me-serbine/

Kurti tha se te kjo nismë nuk besojnë as shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës. “As si përcaktim politik as si ndjeshmëri kulturore, unë nuk u përkas atyre që besojnë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit. Unë jam i bindur që Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi e kanë vendin e tyre në NATO dhe BE”, tha Kurti. “Iniciativat që vijnë nga Beogradi, unë e kam përshtypjen e fuqishme se dëshirojnë që të krijojnë një platformë pa BE-në. Ne dëshirojmë që BE-ja të jetë në çdo iniciativë rajonale edhe si mekanizëm, por njëkohësisht edhe si vlerë. Nuk preferojmë që edhe më tej në Ballkanin Perëndimor të ketë fonde të BE-së pa vlera evropiane. Unë jam i bindur që mbështetja që vjen nga perëndim për Ballkanin e Hapur, është më shumë nga motivi që të mos i dilet kundër idesë, sesa të përkrahet projekti si i tillë. Pra, nuk duan ta kundërshtojnë idenë, por nuk është se aktivisht po marrin pjesë pastaj në projektin e tillë. Dhe të mos harrojmë që tek këto tri shtete që po marrin pjesë në iniciativën e Ballkanit të Hapur, vetëm njëri shtet e ka pajtimin edhe të presidentit edhe të kryeministrit; Serbia”.

Kurti tha që mospajtimi me Shqipërinë për Ballkanin e Hapur vjen nga fakti që ai e ka origjinën në Novi Sad. “Ky është dëmtim i raporteve tona që vlen për t'u përmendur. Marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Tiranës janë ndër më të mirat në Kosovën e pasluftës. Por ne kemi mospajtime edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe brenda partive politike nganjëherë kemi mospajtime edhe brenda kabineteve qeveritare e lëre më midis dy kryeministrave. Por, me vet faktin që përmendet kaq shumë ky mospajtim, besoj që kjo tregon se në fakt, ka fare pak ose aspak mospajtime të tilla”.

https://a2news.com/video/vucic-dua-qe-ta-shihni-serbine-si-shtepine-tuaj-te-dyte/
https://a2news.com/2021/12/21/a-do-ta-pranoni-flamurin-e-kosoves-nese-futet-ne-ballkanin-e-hapur-pergjigjet-vucic/

Ai tha gjithashtu se shpreson për një marrëveshje me Serbinë brenda mandatit të qeverisë së tij, që përkon me mandatin e presidentit amerikan, Joe Biden dhe atij të Komisionit aktual europian. “Besoj që ngadalë, por sigurt, po vendoset ne binarët e duhur, e ato janë binarët e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, sipas vlerave europiane me qytetarët si përfitues dhe në qendër ta ketë njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të thotë se aktualisht realiteti është ai i një mosnjohjeje reciproke. Unë besoj që dialogu, bisedimet dhe marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të përfundonte brenda të mandatit të qeverisë së Republikës së Kosovës e që përkon edhe me mandatin e presidentit amerikan, Joe Biden dhe atë të Komisionit aktual Europian të udhëhequr nga zonja Ursula von der Leyen”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos