Lumi i shpresës, me not për “ëndrrën amerikane” | FOTO

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2019, 20:30 | Bota

Çdo ditë qindra emigrantë, kryesisht meksikanë, por edhe të tjerë nga vendet e Amerikës Qendrore, futen në lumin Rio Grande, që ndan Meksikën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shpresën që të mbërrijnë në anën tjetër pa u kapur dhe të futen kështu në “tokën e premtuar”.

Në pjesën më të madhe të kohës, nisja bëhet nga Pietras Negras, ose “Gurët e Zinj”, një zonë e preferuar pasi lumi bëhet pak më i cekët dhe shpresat për sukses janë të mëdha.

Sipas autoriteteve të Zyrës lokale të Doganave dhe Kufirit, të mërkurën u kapën 1300 emigrantë që kërkonin të kalonin lumin, shifra më e lartë e personave të ndaluar që prej qershorit 2014.

Qyteza amerikane nga bregu tjetër i lumit, Eagle Pass, ose Shtegu i Shqiponjës, ka vetëm 26 000 banorë. Por së fundmi Guvernatori i Teksasit Greg Abbot ka urdhëruar stacionimin aty të 500 oficerëve të departamentit të sigurisë publike, ndërsa 250 ushtarakë aktivë janë dërguar nga Pentagoni.

Shtetet e Bashkuara i bëjnë vazhdimisht thirrje emigrantëve që aplikojnë për azil që të qendrojnë në Meksikë ndërsa kërkesa e tyre merret në konsideratë, por me një ritëm prej maksimumi 20 shqyrtime në ditë, emigrantët janë të paduruar të futen në territorin amerikan dhe rrezikojnë edhe jetën, siç tregon edhe fotogaleria e realizuar nga Agjencia Reuters nga të dy anët e kufirit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos