
Epidemiologu Alban Ylli, në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e “Ditari” në A2, deklaroi se masat shtrënguese që ka marrë ditët e fundit qeveria do të bëjë që vendi ynë ta kalojë më lehtë pandeminë që ka përfshirë të gjithë botën.
“Me masat shtrënguese që kemi marrë, mendojmë se Shqipëria do ta kalojë më lehtë sesa Italia pandeminë. Këto masa po shpëtojnë jetë, jemi duke parandaluar vdekje. Pas një jave do të shikojmë se si masat kanë ndikuar në kurbën e koronavirusit”, theksoi Ylli.
Kur iu kërkua një parashikim mbi shifrat e të prekurve nga virusi i ri, epidemiologu tha: “Mendoj se nuk do të ketë më shumë se 2000-3000 të prekur. Ata që do të kenë nevojë për kujdes intensiv, do të jenë rreth 100-200. Ka edhe skenarë ku mund të kemi shifra shumë më të ulëta dhe shumë pak viktima”.
Në lidhje me mungesën e testimeve sipas opozitës, Ylli theksoi: “Çdo ditë po kryhen testime për t’u identifikuar raste të reja. Jemi duke zbatuar një princip të thjeshtë: nëse kapim 10% të personave pozitivë, ky është nivel i kënaqshëm i aplikimit të tamponëve. Italia e ka 8% për shembull. Patjetër që ka nevojë për më shumë testime në të ardhmen dhe besoj se këto testime do të kryhen, gjithmonë te grupet me risk të lartë dhe ata që dyshohen. Por, testim masiv si në Korenë e Jugut, nuk do të ketë në Shqipëri”.
Sipas Yllit, “jemi në faza të hershme të shpërthimit të epidemisë” dhe “ajo që po ndodh te ne sot është vazhdim i vonshëm i epidemisë italiane dhe në një farë mënyre e kemi ende të mundshme të ndjekim rastet nëpërmjet kontakteve të tyre”.
“Kjo ka krijuar shumë punë në hetimin epidemiologjik, por nga ana tjetër ka lehtësuar punën me testimin. Situata është dinamike dhe ndryshon, por të jeni të sigurt se sistemi ynë shëndetësor do t’i përshtatet situatës”, garantoi Alban Ylli. (A2 Televizion)