
Ka përfunduar pa një vendim pozitiv për nisjen e negociatave, takimi mes krerëve të shteteve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor në Bruksel.
“Samiti BE/Ballkan Perëndimor përfundoi pas shumë fjalësh të mira e lëvdatash në adresën tonë, por BE-ja nuk i liroi dot pengjet e Bullgarisë”, shkroi Kryeministri Rama në një postim në Facebook.
Mësohet se shumë liderë europianë janë shprehur në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe presin që kjo çështje të ngrihet në të ardhmen. Takimi me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor do të ndiqet nga një samit i Bashkimit Europian, gjatë pasdites ku pjesë e diskutimeve do të jetë edhe çështja e zgjerimit të bllokut.
Edhe pse qeveria e kryeministrit Kiril Petkov u rrëzua me mocion mosbesimi nga parlamenti bullgar, liderët e bllokut vazhdojnë lobimin intensiv për ta bindur Sofjen të çojë në parlament propozimin e Francës për zgjidhjen e ngërçit.
Në nisje të takimit me liderët e Ballkanit, Presidenti I Këshillit Europian Charles Michel theksoi se në BE ka një atmosferë gatishmërie për të ripërtërirë procesin me Ballkanin Perëndimor. Ai tha se po vijojnë kontaktet intensive me Bullgarinë, për të dhënë dritën jeshile për fillimin e procesit. Në një postim në Tëitter, komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi I bëri thirrje parlamentit dhe të gjitha partive në Bullgari ta çojnë menjëherë për votim propozimin francez për rrugëdaljen nga mosmarrëveshjet mes Shkupit dhe Sofjes. (A2 Televizion)