Nga Tirana drejt botës pa kufij, panairi ndërkombëtar Klik Ekspo Group çel edicionin e 32-të

Nga Marjo Brakaj
3 Nëntor 2026, 19:59 | Ekonomi

Nga Tirana drejt botës pa kufij, panairi ndërkombëtar Klik Ekspo

Me një ceremoni solemne dhe një atmosferë festive, u hap Panairi Ndërkombëtar i Tiranës- Edicioni i 32-të, një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike në Shqipëri dhe Rajon, që këtë vit vjen nën moton  “Fair of Fairs”.

Luel Muhametaj, Menaxheri i Përgjithshëm i TIF, u shpreh: “Çdo kompani e pranishme këtu ka ardhur me diçka për të ofruar dhe me diçka që shpreson të gjejë. Një klient të ri. Një partner të besueshëm. Një mundësi për t’u rritur. Për më shumë se tri dekada, qëllimi i këtij panairi ka qenë të ndihmojë këta njerëz të gjejnë njëri-tjetrin. Këtë vit, ne po e çojmë këtë përpjekje një hap më tej. Kjo ka rëndësi në një periudhë pasigurie gjeopolitike, kur tensionet mes vendeve ndikojnë në vendimet për tregtinë dhe investimet. Bashkimi i njerëzve rreth interesave të përbashkëta të biznesit ndihmon në mbajtjen hapur të dialogut dhe i jep bashkëpunimit një bazë praktike.”

Për katër ditë,  Panairi Ndërkombëtar i Tiranës në Pallatin e  Kongreseve do të jetë një pikë takimi për mbi 300 kompani, me një përfaqësim ndërkombëtar që përfshin më shumë se 12 vende, institucione publike, dhoma tregtie dhe organizata biznesi. Pjesëmarrja ndërkombëtare është një nga elementet më të rëndësishme.

Luiggi Triggiani, Sekretar i Përgjithshëm i Unioncamere Puglia, thotë: “Dua të shpreh falënderimet e mia për angazhimin e Klik Ekspo Group në organizimin e këtij aktiviteti dhe për mundësinë që na ka dhënë të jemi pjesë e këtij panairi. Ne, si Unioncamere Puglia, kemi dashur të sjellim në Tiranë atë që ky qytet meriton, duke krijuar një hapësirë ku sipërmarrësit mund të takohen, të prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre, por mbi të gjitha të shkëmbejnë ide, përvoja dhe mundësi të reja bashkëpunimi”.

Në një sipërfaqe prej 8 mijë metrash katrorë, ekspozuesit do të prezantojnë produkte, teknologji, shërbime dhe projekte në sektorë që përbëjnë shtyllat e ekonomisë moderne: energjinë, ndërtimin, teknologjinë, bujqësinë, industrinë ushqimore, turizmin dhe trashëgiminë kulturore. TIF Agro & Food sjell rreth 70 kompani dhe agrobiznese, ndërsa turizmi, hoteleria dhe trashëgimia kulturore do të kenë një hapësirë të veçantë përmes mbi 60 kompanive pjesëmarrëse.

Andis Salla, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, tha: “Tashmë, ky panair nuk është thjesht një hapësirë ekspozimi.  Është një mundësi për të krijuar partneritete, për të tërhequr investime dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi ekonomik. Për ne, si Ministri e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, prania në këtë panair ka një rëndësi të veçantë".

Në sektorin e energjisë, ndërtimit dhe infrastrukturës do të marrin pjesë mbi 70 kompani, ndërsa teknologjia do të përfaqësohet nga më shumë se 50 sipërmarrje.

Enea Karakaçi, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë u shpreh se: “Ky edicion, përmes konceptit ‘Fair of Fairs’ dhe një arkitekture të integruar sektoriale, na jep mundësinë të prezantojmë potencialet dhe zhvillimet e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë shqiptare. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfaqësohet përmes disa prej agjencive dhe institucioneve të saj kryesore, me një vëmendje të veçantë ndaj sektorit energjetik”.

Panairi  Ndërkombëtar i Tiranës do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 6 nëntor, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, duke ofruar mundësi unike për ndërlidhje dhe shkëmbim përvojash midis bizneseve shqiptare dhe ndërkombëtare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos