
Pandemia e koronavirusit është një nga periudhat më të vështira të njerëzimit në 100 vitet e fundit. Një virus i ri, me shumë të panjohura, pasiguri, frikë, miliona të infektuar dhe mijëra viktima. E ndërsa bota u izolua si kurrë më parë, për median ishte një sfidë e re, informimi i publikut për vrasësin e padukshëm.
Këto ditë është folur shumë për lirinë e medias. Dhe në fakt sa e lirë ishte media të bënte raportim në pandemi, përtej riskut për të mbajtur ndezur dritën e informimit. Si gjithmonë diferencën na e bën bota. Autoritetet shëndetësore në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara vijuan komunikimet nga terreni, por edhe në sallat e konferencave për shtyp, në prani të gazetarëve, mjaft që distanca të respektohej.
E kundërta në Shqipëri. Me konfirmimin e rasteve të para me koronavirus, pas 9 marsit u mbyll gjithçka; edhe konferencat për shtyp nga kryeministria deri te Ministria e Shëndetësisë. Informacionet e përditësuara fillimisht montohen dhe transmetohen online.
Edhe pse çdo ditë nga foltorja e Ministrisë së Shëndetësisë kanë dalë specialistë, profesionistë për të informuar mbi situatën e përhapjes së virusit, informacioni që japin në përgjigjet e pyetjeve të gazetarëve, të cilat u dërgohen orë më parë, është i kufizuar.
E megjithatë, është një situatë që u diktua në emër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe media e pranoi. Sikundër media pranon të zgjasë mikrofonin kudo ku thirret lirshëm, madje edhe aty ku rregullat u shkelën së fundmi edhe nga presidenti, apo deputetë e politikanë, që kanë nisur të takohen jo vetëm virtualisht.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe po mbahen edhe seancat plenare me deputetë në sallë, çka tregon se autoritetet shtetërore nuk kanë arsye të kufizojnë komunikimin direkt me gazetarët, për më tepër tani, kur 90% e aktiviteteve po rihapen. (A2 Televizion)