Në kalanë e Ishmit u zhvillua mbrëmjen e 22 gushtit “Festa e Ishmit”, një aktivitet kulturor e turistik që synon të promovojë traditat, historinë dhe resurset natyrore të kësaj zone.
Banorë të zonës dhe vizitorë të shumtë morën pjesë në këtë festë, e cila u shoqërua me një program artistik, si dhe me ekspozimin e prodhimeve vendase. Ndër to spikatën bimët medicinale dhe rakia e prodhuar nga rrushi i zonës, të sjella nga fermerët e Ishmit, duke treguar potencialin bujqësor dhe artizanal të territorit, shkruan A2 CNN.
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, e pranishme në këtë festë, theksoi rëndësinë e turizmit si një sektor në zhvillim, duke vënë në dukje rolin e zonës së Ishmit në thithjen e turistëve vendas dhe të huaj. Sipas saj promovimi i pasurive kulturore dhe natyrore është një prioritet, me synimin që këto iniciativa të kthehen në traditë çdo vit.
“Festa e Ishmit” është shndërruar në një urë lidhëse mes trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke dhënë një tjetër shembull të gjallë të potencialit turistik që ofron kjo zonë. (A2 Televizion)