Tensionohet situata, shkëmbim zjarri mes dy Koreve

Nga A2 CNN
23 Gusht 2025, 13:07 | Bota

Tensionohet situata, shkëmbim zjarri mes dy Koreve

Koreja e Jugut tha se ka hapur zjarr, në shenjë paralajmërimi, ndaj ushtarëve të Koresë së Veriut të cilët e kaluan kufirin gjatë kësaj jave, tha Seuli më 23 gusht, pasi Pheniani akuzoi se po rrezikohej përshkallëzimi i tensioneve.

Lideri i ri i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka kërkuar raporte më të mira me Korenë e Veriut – shtet që ka armë bërthamore – dhe ka premtuar se do të ndërtohet “besim ushtarak”, por Pheniani ka thënë se nuk ka interes që të përmirësojë raportet me Seulin.

Ushtria e Seulit tha se disa ushtarë të Koresë së Veriut e kaluan kufirin të martën teksa po punonin në Zonën e Demilitarizuar e cila është mbushur me mina dhe ndan dy Koretë.

Ky inkursion nxiti “forcat tona të realizojnë të shtëna paralajmëruese”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Seulit përmes një deklarate, duke shtuar se “ushtarët koreanoveriorë më pas u kthyen në veri” të kufirit de fakto.

Mediat shtetërore të Phenianit thanë më herët të shtunën se incidenti ndodhi ndërsa ushtarët e Koresë së Veriut punonin për të siguruar kufirin që ndan gadishullin, duke cituar një deklaratë të Gjeneralit të Ushtarit Ko Jong Chol.

Duke e quajtur këtë incident si “të paramenduar dhe provokim të qëllimshëm”, Ko tha se ushtria e Seulit përdori një mitraloz dhe gjuajti 10 fishekë drejt trupave të Veriut, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, KCNA.

Konfrontimi i fundit në kufi mes rivalëve të kamotshëm ndodhi në fillim të prillit, kur ushtria e Koresë së Jugut kreu të shtëna paralajmëruese pas rreth dhjetë ushtarë të Veriut e kaluan kufirin.

Ushtria e Koresë së Veriut njoftoi në tetor të vitit të kaluar se po bënte në mbyllje totale të kufirit jugor, duke thënë se kishte dërguar një mesazh te forcat amerikane për të “parandaluar çdo keqkuptim dhe konflikt aksidental”.

Pak më vonë, ajo detonoi pjesë të rrugëve dhe shina hekurudhore të papërdorura, që lidhin Veriun me Jugun.

Ko paralajmëroi se ushtria e Koresë së Veriut do të hakmerrej kundër çdo ndërhyrjeje në përpjekjet e saj për të mbyllur përfundimisht kufirin.

“Nëse veprimi i kufizimit ose pengimit të projektit, i cili nuk ka karakter ushtarak, vazhdon, ushtria jonë do ta konsiderojë atë si provokim të qëllimshëm ushtarak dhe do të marrë masat e duhura të kundërpërgjigjes”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos