“Mini Shengeni” ballkanik, Kosova kundër: Pa kontroll nga BE, sjell vetëm dëme

Nga A2 CNN
21 Tetor 2019, 19:53 | Aktualitet

Kosova është kundër “mini Shengenit” ballkanik. Idenë e iniciuar në Serbi nga presidenti Aleksander Vucic, kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Prishtina e konsideron të dëmshëm si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Skënder Krasniqi i kërkon qeverisë së ardhshme të Kosovës që të rishikojë marrëveshjet e CEFTA-s dhe MSA-së, pasi sipas tij kanë dëmtuar dhe shkatërruar prodhimin vendas. “Kosova nuk ka përfitua asgjë nga kjo marrëveshje, përkundrazi ka pësuar dëme të jashtëzakonshme”, thotë Skënder Krasniqi, kryetar i dhomës së tregtisë në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, që fitoi zgjedhjet e 6 tetorit, i kërkon Shqipërisë që ta shikojë Serbinë me sytë e Kosovës, dhe dakordësinë për “mini Shengenin ballkanik” e konsideron të gabuar. Sipas Albulena Haxhiut, pjesë e VV, lëvizja “ka kundërshtuar ketë marrëveshje, mendojmë që është në kundërshtim me interesat e Kosovës”. Edhe njohësit e çështjeve ekonomike të Kosovës, janë kundër kësaj çështje. “Përderisa nuk kemi një kontroll nga BE, dhe jemi shtete shumë të brishta”, shton analisti Mustafë Kadriaj. Gjatë takimit të Novi Sadit, Vucic, Rama dhe Zaev u dakordësuan që brenda vitit 2021 të eliminojnë kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos