SHBA, 3 fëmijë dhe një mësues vriten me armë zjarri në një shkollë fillore në Oregon

Nga A2 CNN
16 Tetor 2026, 11:30 | Bota

SHBA, 3 fëmijë dhe një mësues vriten me armë zjarri

Tre fëmijë, të moshës 5, 8 dhe 11 vjeç, si dhe një mësues, u vranë me armë zjarri në një shkollë fillore në qytetin Bend, në shtetin amerikan të Oregonit, raporton A2 CNN. Policia tha se autori i dyshuar, një 16-vjeçar, u qëllua për vdekje nga një person i pranishëm në vendngjarje, i cili ndërhyri për të ndaluar sulmin.

Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten pasdite në shkollën fillore Silver Rail. Sipas shefit të policisë së Bendit, Mike Krantz, adoleshenti hyri me forcë në ndërtesë pasi qëlloi me armë zjarri drejt bravave të dyerve të mbyllura.

Një fëmijë 7-vjeçar dhe një mësuese 54-vjeçare u dërguan në spital në gjendje kritike. Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse autori kishte ndonjë lidhje me shkollën apo me viktimat.

Policia u njoftua për një person të armatosur në orën 12:59, sipas orës lokale. Telefonata e parë erdhi nga një person që raportoi se një i panjohur po qëllonte me armë të gjatë drejt automjetit të tij. Pak minuta më vonë, shërbimet e emergjencës morën telefonata të tjera, sipas të cilave sulmuesi kishte hyrë në shkollë.

Një person që ndodhej pranë vendit të ngjarjes e ndoqi autorin brenda ndërtesës dhe e qëlloi për vdekje. Efektivët e policisë mbërritën rreth tre minuta më vonë, konfirmuan vdekjen e autorit dhe kontrolluan ambientet e shkollës.

Guvernatorja e Oregonit, Tina Kotek, vlerësoi ndërhyrjen e personit që ndaloi sulmin, duke e cilësuar atë si heroike. “Jemi të tronditur dhe zemërthyer nga kjo tragjedi e pakuptimtë”, deklaroi Steven Cook, zyrtari më i lartë administrativ i distriktit shkollor.

Shkolla, ku mësojnë rreth 450 nxënës, do të qëndrojë e mbyllur të premten. Autoritetet thanë se komunitetit i duhet kohë për të përballuar humbjen.

Sipas bazës së të dhënave K-12 School Shooting Database, vitin e kaluar u regjistruan 235 incidente me të armë në shkollat amerikane, ndërsa të paktën 140 të tilla janë raportuar deri më tani këtë vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos