Nata e ndërrimit të viteve, Europa feston në heshtje, Franca mobilizon 100 mijë policë

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2020, 13:24 | Bota
Nata e ndërrimit të viteve, Europa feston në heshtje, Franca

100 mijë policë dhe pjesëtarë të xhandarmërisë franceze do të mobilizohen natën e ndërrimit të viteve, për të ndaluar organizimin e festave dhe për të garantuar zbatimin e shtetrrethimit.

Forcat shtesë të sigurisë do të parandalojnë akte si djegia e makinave, që ndodhin zakonisht në natën e fundit të vitit. Franca ka bilancin e 5 më të rëndë në botë nga Covid-19, me 2.6 milionë raste në total dhe mbi 64 mijë vdekje.  

Si në shumë vende të tjera të Europës, edhe në Francë festimet në vigjilje të vitit të ri do të jenë të heshtura, mes frikës së përhapjes së pandemisë. Forcat e sigurisë do të pozicionohen në qendrat e qyteteve dhe në periferitë kryesore nga ora 20:00 e mbrëmjes, kur fillon edhe shtetrrethimi.

Në Paris, gjysma e linjave të metrove do të jenë të mbyllura e po konsiderohet gjithashtu kufizimi i mjeteve të tjera të transportit publik. Të gjithë ata që do të kapen duke shkelur rregullat do të gjobiten.

Ndërkaq, në Britaninë e Madhe kryeministri Boris Johnson njoftoi se 20 milionë njerëz të tjerë do të përfshihen në kategorinë e kufizimeve më strike nga e enjtja, për shkak të përhapjes së pakontrollueshme të variantit të ri të koronavirusit.

Në Gjermani, ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn tha se kjo pritet të jetë nata më e heshtur e ndërrimit të viteve, ndërsa autoritetet kanë ndaluar fishekzjarrët dhe kanë kufizuar numrin e personave që mund të grumbullohen në publik.

Holanda, e cila do të jetë në izolim deri në 19 janar, do të presë 2021-shin me ceremoni me dyer të mbyllura në stadiumin e futbollin në Amsterdam. Turqia nis sot izolimin 4 ditor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos