Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj kryetares së Gjykatës së Elbasanit, pas disa videove të postuara në rrjetin social “TikTok” të Enkeleda Kapedanit.
“Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten E.K, kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin”, thuhet në njoftimin e ILD.
Në disa portale janë shpërndarë disa video, ku Enkeleda Kapedani shfaqej duke “sfiluar” në zyrë, ndërsa në disa të tjera duket teksa drejton makinën dhe ekspozon veshjet e saj. (A2 Televizion)