
Një ditë pas grabitjes se miliona eurove në Rinas nuk ka asnjë masë shtesë sigurie. Madje edhe portat nga u futën dhe dolën grabitësit nga pista janë siguruar me zinxhirë që mund të këputen lehtësisht.
Ata liruan rrugën duke tërhequr zvarrë një platformë. Blloku i betonit është rikthyer në vend. Një ditë pas ngjarjes porta është siguruar me një zinxhir, këputja e të cilit do të ishte një lojë fëmijësh edhe për hajdutin më amator.
Masa sigurie shtesë nuk vihen re. Situata nuk ndryshon në portën nga dolën grabitësit. Punonjës policie, jo e jo. Reagimi i sigurisë së brendshme erdhi 10-15 minuta pasi grupi i xhirimit të A2 CNN po qëndronte pranë portës, ku kanë mbetur shenja të grabitësve.
Paraditja e së mërkurës e gjeti Rinasin në gjendje normaliteti. Objekti i rëndësisë së veçantë duket se nuk ka siguri të veçantë as pas grabitjes.
Policia e Shtetit përfaqësohet me dy mjete të pozicionuara pranë terminalit. Uniformat e tyre nuk duken kund tjetër.
Nëse reagimi shtetëror nuk do të jetë i duhuri edhe pas grabitjes së dytë brenda në pistë, nuk është çudi, që zinxhirët e portave të Rinasit të këputën edhe herë të tjera… (A2 Televizion)