Në muajin tetor, në atë që u cilësua muaji i protestave të pedagogëve, shpeshherë u theksua nevoja urgjente për kërkimin shkencor në universitetet shqiptare, u akuzua gjithashtu për studime plagjiature e lloj-lloj motivesh të tjera. E njëjta situatë u vu re edhe gjatë muajit të kaluar, ku u paralajmërua ajo që u cilësua “pranvera e protestave” për arsimin dhe si e tillë u kufizua në një mbledhje tek shkallët e Universitetit Politeknik. Shumëkush, me të drejtë ndoshta, nuk e pa të arsyeshme të bashkohej në këtë kauzë. Por, në raportin e Alper Doger mbi kërkimin shkencor në botë, kush pati rastin ta lexojë vuri re disa fakte therëse për nivelin e ulët që paraqet vendi ynë në krahasim me të tjera vende. Thënë ndryshe, një pasqyrë e dobët e arsimimit dhe zhvillimit. Në shifra, Shqipëria ka numrin më të vogël të kërkuesve shkencorë në rajon për 1 milion banorë. Numrat për Maqedoninë e Veriut janë rreth 4 herë më shumë, Malin i Zi gjithashtu 4 herë më shumë dhe Serbinë rreth 12 herë më shumë. Po të shohim numrat që jep Bashkimi Evropian, duket qartë se Shqipëria është e fundit në rajon. Pak ditë më parë u bë e ditur se Ministria e Arsimit në strategjinë kombëtare për kërkimin shkencor, teknologjinë dhe inovacionin për 7 vitet e ardhshme ka vënë në dispozicion 27,5 miliardë lekë. A e justifikon mjetin? Çfarë duhet bërë për t’u ngritur në lartësinë e pranueshme? Këto u diskutuan në “Ditari” në A2 CNN me një ndër studiuesit e shifrave që vëren nivelin e dobët që paraqet rajoni në këtë fushë. Ai është Egzon Ademi, asistent prfesor në Universitetin e Tetovës. (A2 Televizion)
Nota për universitetet shqiptare, të fundit në rajon
