
Deputeti socialist Ardit Bido ka reaguar për tragjedinë e ndodhur në Durrës, ku Nikoll Radaçi duke drejtuar makinën në gjendje të dehur, u ka marrë jetën dy fëmijëve dhe ka plagosur rëndë një të tretë. Bido thekson në mesazhin e tij se nuk ishte aksident, por vrasje, dhe duhet të gjithë të mbajnë qëndrim, raporton A2CNN.
“Nuk ishte aksident, ishte vrasje! Dhe në vrasje duhet të mbajmë të gjithë qëndrim! Respektoni familjarët e ëngjëjve që nuk janë më mes nesh dhe ndaloni kërkimin për viralitet e likes përmes videos së dhimbjes së familjarëve të tyre”, shkruan Bido në mesazhin e tij në rrjetet sociale.
Kujtojmë që katër fëmijë ishin duke luajtur në trotuar në momentin që mjeti tip “Benz ML” i drejtuar nga Nikoll Radaçi, përplasi tre të mitur, ndërsa një i katërt i shpëtoi mrekullisht aksidentit. Dy fëmijë humbën jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa fëmija i tretë u transportua në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë. Dyshohet se drejtuesi 57-vjeçar i makinës tip “Benz ML” ishte i dehur në timon. (A2 Televizion)