"Nuk dorëzohemi", Basha: Betejë jo me një kundërshtar politik por me një regjim

Nga A2 CNN
27 Prill 2021, 19:50 | Politikë
"Nuk dorëzohemi", Basha: Betejë jo me një

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka akuzuar qeverinë për manipulimin e procesit.

Sipas tij, qeveria ndryshoi Kushtetutën, vodhi të dhënat personale, bleu vota, shantazhoi administratën dhe nxorri mijëra vota të pavlefshme.

Pavarsisht humbjes, Basha premton se PD nuk dorëzohet dhe do vazhdojë të luftojë fort.

“Kemi shumë vite që luftojmë për demokracinë. U deshën shumë vitë që të rrëzonim regjimin komunist por ia dolëm sepse jemi njerëz të fortë, popull që beson te demokracia.

Beteja jonë për demokraci ka vijuar, edhe këto muaj ne bëmë betejë për demokracinë. Unë besoja se ne do ta fitonim dhe do ia rikthenim Shqipërisë demokracinë. Por kjo nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bëjnë me demokracinë. Ne hymë në betejë jo me një kundërshtar politik por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme.

Ndryshuan Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë, miliona euro të hedhura për blerjen e votes duke shkaktuar vullnetin e zgjedhësve. Përdorën milionat e koncensioneve, vodhën të dhënat personale, përdorën kriminelat dhe bandat, shantazhuan qytetarët, administratën dhe median, duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale. Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë me përfaqësues të krimit si Tom Doshi.

Pavarsisht kësaj ne sollëm arritje dhe fitore të madhe për demokracinë në Shqipëri. U bëmë më të fortë, dhe jemi më të vendosur se kurrë. Kushdo që mendon se do dorëzohemi nuk na njeh mire. Do vazhdojmë betejën, dhe do vazhdojmë të luftojmë për demokracinë deri në fitore se misioni ynë është më i madh se ne. Po u dorëzuam ne, Shqipëria s’ka mundësi tjetër. Ne jemi më të fortë. ”, deklaroi Basha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos