
Rreth 130 mijë të punësuar në administratën publike, bashkë me Presidentin, Kryeministrin, ministrat dhe deputetët do të marrin më tepër para’ në rrogat e tyre.
“Ne kemi analizuar diferencat me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe qëllimi ynë është përafrimi gjatë 2-3 viteve në vijim dhe vijimi i rritjes së nivelit të pagave në sektorit publik, për të arritur mesataren e vendeve të rajonit dhe duke synuar që në harkun kohor e 10-15 viteve paga në vend të bëhet e krahasueshme me mesataren e Bashkimit Europian”, tha Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë.
Mbledhja e Komisionit për ekonominë dhe Financat, në fakt, nisi krejt ndryshe nga sa u mbyll. Kjo, pasi në propozimin e qeverisë, nuk parashikohej rritje pagash për deputetët dhe ministrat.
“Ju keni propozuar këtë që keni propozuar, por keni shkelur ligjin. Deputetët nuk mund të përjashtoheshin nga rritja e pagave”, tha Spaho.
Ishte deputeti demokrat Arbi Agalliu, që pasi kundërshtoi projektligjin, propozoi edhe koeficientet për rritjen e pagave për ligjvënësit. Propozimi u mbështet edhe nga deputetët e mazhorancës të pranishëm në mbledhje.
“Mjerë ai që e sheh Kuvendin si një vend që ka grumbulluar ca njerëz për të vjedhur, për t’i shërbyer vetes së tyre”, tha Braçe.
“S’më intereson nëse më gjykojnë. Rritja e pagave duhet të përfshijë edhe deputetët e ministrat”, tha Alban Xhelili.
Pas kësaj edhe ministrja e për Ekonominë dhe Financat shprehu dakordësinë. Projektligji për rritjen e pagave, bashkë me ndryshimet e propozuara ligjore do të kalojë për miratim në Parlament në seancën e së enjtes. (A2 Televizion)