Lëvizja Vetëvendosje ka përzgjedhur nënkryetarin e saj Glauk Konjufca si mandat për krijimin e qeverisë së re, pas dështimit të Albin Kurtit për t’u votëbesuar në seancën e Kuvendit më 26 tetor.
Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes tha se propozimin e Konjufcës e bëri për shkak të vlerësimit dhe besimit të madh që ka për të.
“Unë dua të bëj një propozim të menduar mirë, e bëj jo për të bërë një lajm. Kemi ofruar mundësi për zgjedhje qysh në qershor, kur e pamë se nuk duan bashkëpunim. Kemi marrë refuzimin e ftesave për bashkëpunim, gjersa na kanë bërë të pamundur çdo qeverisje në koalicion me ta. Po ia japim mundësinë opozitës që t’i kursejë vendit dy palë zgjedhje, sepse mjafton njëherë të shkohet në zgjedhje në prill kur vjen çështja e zgjedhjes së presidentit. Jemi gati për zgjedhje sot, edhe në dhjetor, edhe më shumë gati në prill, por po e japim këtë mundësi si zgjedhje për këtë bllokim të kotë që është bërë”, tha Kurti.
Kurti ka theksuar më tej se Lëvizja Vetëvendosje është gjithmonë e gatshme për zgjedhje, por po ashtu edhe e përgatitur për to. Sipas Kurtit ky propozim është gjithashtu një mënyrë për të shkurtuar periudhat e mundshme të zgjedhjeve të parakohshme, duke evituar dy palë zgjedhje në dhjetor dhe prill.
Ai ka njoftuar gjithashtu se kabineti do të vazhdojë me të njëjtin përbërje që ai ka propozuar, pasi vetë kryeministri në detyrë do të jetë i propozuar për postin e ministrit të Jashtëm në vend të Konjufcës.
“Unë marr vendin e Glaukut dhe Glauku timin. Le të votojmë buxhetin, plani i rritjes, le të bëhen disa punë të domosdoshme”, u shpreh Kurti.
Sakaq, të mërkurën më 5 nëntor skadon afati kur presidentja Vjosa Osmani do të vendosë nëse do të mandatojë ndonjë mandatar për kryeministër apo do të shpërndajë Kuvendin për t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja. (A2 Televizion)
