
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi këtë të shtunë një takim me mjekët për të diskutuar programin “Shqipëria fiton shëndetësinë”.
“Hapi i parë do të jetë finalizimi i projektit të kartës së pacientit me anë të cilit pacienti do t’i jepet liria të zgjedh vetë të gjitha hallkat ku duhet të drejtohet për të marrë shërbimin përkatës. Nga mjeku i familjes te specialisti, tek institucioni spitalor ku ka nevojë për kujdes. Parimi “paraja ndjek pacientin” në vetvete i zbatuar me transparencë dhe sipas parashikimeve të reformave në planin tonë për shëndetësinë, faktikisht do bëjë të mundur diçka të thjeshtë që e kupton çdo shqiptarë. Ne në tërësi si shoqëri, harxhojmë më shumë para, nxjerrim më shumë para nga xhepi qoftë kjo si taksa, që pastaj dedikohen për shëndetësinë, qoftë si para në dorë, qoftë si para në sektorin privat këtu apo për udhëtime dhe kurime jashtë shtetit sesa çdo popull tjetër i Ballkanit. Dhe prapë kujdesi shëndetësor është në parametra më të ulët, që do të thotë që me reformën dhe me hapat që do të hedhim ne do ta kemi plotësisht të mundur që qytetarët shqiptarë të marrin shërbimin e duhur shëndetësor duke paguar më pak seç paguajnë sot. Hapi i parë “Paraja ndjek pacientin” përmes kartës së pacientit”, tha Basha.
Më tej, kreu i PD tha se hapi i dytë ka të bëjë me reformën e të gjithë hallkave që do ta japin këtë shërbim. “Sot mund ta themi me gojën plotë, që në veçanti sa i përket shërbimit terciar, situata, pra spitalet, situata është në kolaps total. Është në kolaps për shkak të një mendësie të gabuar që ka çuar drejtë centralizimit total dhe ku ka centralizim ka hapësirë për abuzim, për shpërdorim dhe për keqmenaxhim. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur. Sa më shumë është centralizuar menaxhimi, aq më shumë burime janë shpërdoruar, aq më pak ka shkuar paraja tek pacienti”.
Basha premton edhe rritje të rrogave, duke thënë se nuk do të ketë paga nën 1200 euro për mjekët. “Cilat janë dy masat konkrete ?! Rritja e me efekt të menjëhershëm e pagave të mjekëve deri në 1200, të infermierëve deri në 700 Euro dhe të mjekëve specializantë 950 Euro. Dhe hapi i dytë, rritja e kapaciteteve trajnuese për mjekë, për më shumë mjekë. Pastaj kemi një seri masash të cilat do të synojnë reformimin e ambientit të spitaleve publike, të ambientit të punës që nga pajisjet, investimet, trajnimi që përmendi profesori dhe pa diskutim edhe politikat e tjera të shëndetit publik që do të kenë edhe të bëjnë me shërbimin, qoftë rajonalizimin e shërbimit spitalor, qoftë aksesi te mjeku i familjes sepse e thatë me të drejtë që mjeku i familjes duhet të jetë i aksesueshëm në një distancë të arsyeshme për popullsinë në vend”, tha Basha. (A2 Televizion)