Xhaçka takon Osmanin: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet e integrimit, keqardhje nëse do të zhgënjeheshim

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2021, 10:51 | Politikë

Bujar Osmani ka vizituar sot Tiranën, për herë të parë, në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut. Pas takimit të parë me homologen shqiptare, Olta Xhaçka, në konferencën e përbashkët për shtyp, u vu theksi tek integrimi në BE. Ministrja Xhaçka u shpreh se të dyja vendet kanë plotësuar kushtet.

“Të dyja vendet tona, siç e ka konfirmuar edhe vetë Këshilli në mars 2020, i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare. Dhe të dyja vendet tona kanë bërë shumë punë për të plotësuar kushtet. Në këtë pikë, dua në fakt të vlerësoj maksimalisht vendosmërinë dhe punën e Kryeministrit Zaev, të qeverisë së tij, të koalicionit qeverisës dhe të faktorit shqiptar, për të çuar përpara integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoninë e Veriut, ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse ne – pjesa dërrmuese e popullsive tona – besojmë te perspektiva evropiane”.

Ajo shprehu keqardhjen nëse do të zhgënjeheshin sërish nga konsideratat subjektive dhe politike të vendeve anëtare.

“Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se nga kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish, për shkak të konsideratave subjektive, politike të vendeve anëtare, në një moment që vlerësimi objektiv, teknik nga ana e Këshillit dhe vendimi i tij, në mars 2020, ka qenë pozitiv”.

Nga ana e tij, ministri Osmani theksoi se nuk ka alternativë tjetër veç anëtarësimit në BE.

“Vlerësojmë mbështetjen e Shqipërisë gjatë anëtarësimit në NATO. Sot, si anëtarë të NATO-s, është edhe anëtarësimi në BE që nuk ka alternativë tjetër. Marrëdhëniet mes dy vendeve e kanë kaluar pragun e fqinjësisë së mirë dhe kjo miqësi është përtej interesave të dy vendeve dhe një nga shtyllat për sigurinë e stabilitetin e rajonit. Jemi të vendosur në përpjekjet për përforcimin e tij dhe kontributin e fqinjësisë së mirë. Jemi të interesuar për suksesin e dialogut Prishtinë - Beograd i cili do të frymëzojë forcë të re dhe hap serioz drejt Ballkanit të qëndrueshëm”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos